Berisha: Komisionet nuk fitohen me grevë urie
Kryeministri Sali Berisha jep përgjigje nga Brukseli. “Kishin kohë të mjaftueshme për debat në komisione”
“Në këtë mënyrë, nëpërmjet grevës së urisë, unë mendoj se nuk është e mundur që ato të caktohen”.
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha, e ka thënë troç dje se anëtarët e Komisioneve Zgjedhore nuk mund të fitohen përmes grevës së urisë. Në një deklarim për mediat, nga Brukseli, ku po zhvillon një vizitë dyditore, kreu i ekzekutivit është shprehur se drejtuesit e partive, që po zhvillojnë grevën e urisë, kanë pasur kohën e mjaftueshme përmespërfaqësuesve të tyre në komisione që të debatojnë për reformën. Megjithatë, kreu i ekzekutivit ka lënë një hapësirë diskutimi për këtë çështje, në kohën kur drafti do të kalojë për miratim në Kuvend. Pikërisht në seancën plenare, drejtuesit e partive të vogla do të kenë mundësinë që të shfaqin sërish kërkesat e tyre, lidhur me përfaqësimin e tyre në Komisionet Zgjedhore. "Së pari, duke shprehur respektin për vendimin e gjithësecilit, më duhet të them se anëtarët e Komisioneve Zgjedhore, në qoftë se vendosën në këtë mënyrë, nëpërmjet grevës së urisë, unë mendoj se nuk është e mundur që ato të caktohen. Kanë pasur ç'do rast për të qenë në komision parlamentar dhe kanë qenë në komision dhe ligji do shkojë prapë në parlament", - tha Berisha. Përsa i përket qëndrimit që do të mbajë Partia Demokratike lidhur me mundësinë e një bisedimi midis deputetëve grevistë dhe dy partive të mëdha, PD dhe PS, Berisha edhe njëherë theksoi faktin se partia e tij në rrethana të caktuara është e shtrënguar të negociojë me Partinë Socialiste dhe nuk mund ta anashkalojë atë,për t’u plotësuar kërkesat partive më të vogla në opozitë. “Unë e kam theksuar dhe e theksoj se jam në qeveri dhe me të gjithë kodin e rregullave, sepse nuk jam unë që zgjedh opozitën, atë e zgjedh populli, ashtu siç zgjedh edhe qeverinë. Populli shqiptar ka përcaktuar opozitë kryesore Partinë Socialiste dhe është jashtë çdo lloj mundësie që unë të veproj nëpërmjet faktorëve të tjerë opozitarë në dëm të partisë kryesore opozitare. Kjo është e pamundur për mua”,- u shpreh Berisha. Lidhur me mënyrën sesi do të garantohet numërimi i votave, Berisha sërish garantoi transparencë për këtë proces. “Partia Demokratike ka qenë në opozitë dhe ka pasur periudha që nuk ka pasur asnjë përfaqësues në komision dhe nuk ka ndërmarrë kurrë veprime ekstreme të grevave të urisë ose të bojkotit të zgjedhjeve. Kemi bërë ç'do përpjekje dhe unë mund t'ju them një gjë, që numërimi i votave në këto zgjedhje, për ata që e lexojnë atë kod do të jetë numërimi më transparent në historinë e vendit dhe ndoshta dhe në historinë e Evropës. Sepse është parashikuar që ç'do fletë votimi të vendoset mbi skaner dhe të projektohet mbi mur rezultati i saj për të gjithë ata që e shohin,"- u shpreh Berisha. Ai nuk i është përgjigjur pyetjes tjetër që lidhet me PDK-në, e cila është pjesë e koalicionit të djathtë dhe aktualisht pjesëmarrëse në grevën e urisë për të kundërshtuar Kodin e ri Zgjedhor. Ndërkohë zyrtarë të tjerë të lartë të PD-së janë shprehur se, rasti i grevës së 10 deputetëve, mund të shërbejë si precedent në të ardhmen, ndaj dhe nuk mund të merren parasysh kërkesat e tyre.
Malaj: Greva rrezikon ligjet e rëndësishme
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka deklaruar dje se aktiviteti parlamentar rrezikohet nga zhvillimi i grevës së urisë së 10 deputetëve. Duke shprehur keqardhjen nga ana njerëzore për grevistët, Malaj është shprehur i shqetësuar lidhur me seancën parlamentare të radhës, ku mund të shmanget vëmendja nga diskutimet për buxhetin. "Nga pikëpamja etike dhe njerëzore është një moment që kërkon një vlerësim sa më të drejtë dhe sidomos në kushtet kur aktiviteti parlamentar ka dy ligje të rëndësishme në javët e ardhshme, do diskutohet buxheti i shtetit dhe njëkohësisht do të miratohet Kodi Elektoral. Nëse është kjo situatë e mbingarkuar, duket se vëmendja mbi këto ligje do të cenohet",- u shpreh Malaj. Në deklaratën për mediat, deputeti socialist Malaj, është fokusuar në analizën e buxhetit të shtetit dhe momentet më kritike të tij, duke akuzuar qeverinë Berisha për dështimet dhe krizën ekonomike në vend.
Kodi, të vegjlit kundër PD-së e PS-së
TIRANË- Përfundimi i Kodit Zgjedhor do të sjellë kundërshtimin e disa partive të vogla. Kryetari i Partisë të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, e ka cilësuar atë një minë me sahat. Ndërkohë që edhe PDK-ja dhe LSI-ja vazhdojnë ta kontestojnë këtë kod, përmes përfshirjes tanimë në grevën e urisë. “Edhe 6 muaj na ndajnë nga zgjedhjet më të rëndësishme parlamentare, dhe monopolizimi i dy partive më të mëdha PD-PS për administrimin e zgjedhjeve, është një minë me sahat që këto dy partipo i vënë këtij procesi”,- tha Dule. Sipas tij, Kodi Zgjedhor parashikon një formulë jokonkurruese, dhe si e tillë ajo do të japë mundësi për të kundërshtuar zgjedhjet. Duke pranuar faktin se për herë të parë Kodi Zgjedhor është gati në kohë, Dule shprehet skeptik për faktin se ky Kod nuk parashikon procesin e pajisjes me dokumente identifikimi. “Megjithëse, projekti për Kodin Zgjedhor erdhi për herë të parë në kohën e duhur dhe i formuluar kryekëput nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, pa asistencën e ndërkombëtarëve, është ende larg praktikave europiane, pasi nuk jep garanci se kur do të përfundojë procesi i pajisjes së qytetarëve me dokumente përkatëse për të votuar dhe listave adekuate të zgjedhësve”,- u shpreh ai. Dule theksoi gjithashtu se greva e 10 deputetëve është pasojë e shprehjes së mungesës së dialogut politik. Po dje, kryetari i LSI-së Ilir Meta, ka deklaruar se do të jetë një kod i pavlefshëm, pasi do të prishë zgjedhjet. I njëjti qëndrim shihet edhe nga demokristianët. Nënkryetari i PDK-së, Vladimir Beja, i bëri thirrje dje kryeministrit Sali Berisha për reflektim.