Kosovari Valon Behrami "ndez" duelin roman
Përpara derbit të shumëpritur roman, protagonist bëhet edhe Valon Berhami. Në fakt, në prag të ndeshjes më të rëndësishme në Romë, atë ndërmjet Romës dhe Lacios, televizioni "Sky" publikon lajmin se verdhekuqtë janë të interesuar për shërbimet e kosovarit me pasaportë zvicerane. Behrami shihet si zëvendësuesi i Sisinjos, që pas autogolit me Bolonjën do të largohet nga skuadra e Luçiano Spaletit. Braziliani do të kthehet në vendin e tij, për të vazhduar karrierën me San Paolon, ndërkohë që si zëvendësues ideal cilësohet 23-vjeçari, që në të kaluarën refuzoi fanellën e Shqipërisë. Gjatë verës së kaluar, Behrami u largua nga Lacio për të luajtur me Hest Hemin në Premiership, por problemet financiare të klubit anglez mund të bëjnë që ai të rikthehet në Serinë A. Ky spekulim pritet ta "ndezë" edhe më shumë derbin. Fakt interesant për mesfushorin që luan me përfaqësuesen helvetike është se në sezonin e kaluar, në sekondat e fundit të derbit, ai shënoi golin e fitores 3-2 të Lacios.