Asnjë banor në shtëpi: Shteti të na ndihmojë pa ardhur dimri
BULQIZE - Banorët e zonave të prekura nga tërmeti i 6 shtatorit mbajnë sytë lart nga qielli me shpresë së helikopterët e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile do të sjellin ndihma, ndërsa mendjen e mbajnë nga toka, se mos ajo lëkundet dhe shtëpitë e mbetura ende në këmbë mund të rrafshohen. Dje në mesditë një helikopter mblodhi qendra banorë në "fushën e helikopterëve", aty pranë së ashtuquajturit kamping, por në vend të ndihmave të shumëpritura mbërritën specialistë të emergjencave civile, që po merren me saktësimin e dëmeve. Mësohet gjithashtu se kanë ardhur në komunat e dëmtuara dhe 70 çadra, por nevojat janë për qindra më shumë, pasi në kamping askush nuk pranon të sistemohet. "Kemi kërkuar të paktën 30 çadra, mirëpo na thanë se ka familje më të prekura se sa këto të fshatit tonë. As banorët e fshatit tonë nuk duan vaj e sheqer, por vlerësim real të dëmit të shkaktuar dhe financim në lekë për të ngritur shtëpitë e reja ose për t'i riparuar ato pa ardhur ende dimri", pohoi për "Panorama" kryetari i fshatit Çerenec, Halil Mjeshtri. Dje paradite Kryqi i Kuq Shqiptar dërgoi në zonat e dëmtuara veshmbathje dhe ushqime për familjet më të prekura nga tërmeti i ditëve të fundit. h.p