Kapen 200 kg mariuanë në Gjirokastër

Gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme, Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 200 kg marihuanë ndërsa ka shpallur në kërkim transportuesin e drogës.
Burime nga policia bëjnë me dije se droga është kapur në aksin rrugor Kordhocë- Gjirokastër në një automjet tip “Pontiak” pa targa.
Sipas policisë, drejtuesi i automjetit porsa ka parë që e ndiqte policia ka shtuar shpejtësinë dhe ka devijuar rrugën nacionale duke u futur në një rrugë dytësore në krah të varrezave të qytetit, ku dhe ka braktisur automjetin dhe është larguar me shpejtësi duke përfituar dhe nga errësira, raporton bw.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor ku kontrolli që iu bë automjetit u gjetën 200 pako të mbështjella me natriban të mbushura me marihuanë, me peshë 1 kilogramë secila.
Policia mundi të identifikojë drejtuesin e automjetit, që dyshohet se është një 24 vjeçar nga fshati Lazarat, por për arsye hetimi nuk bëhet i ditur emri i tij.
Sipas policisë lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar Italinë.
Ndërkohë një ditë më parë policia e Gjirokastrës sekuestroi 30 kg marihuanë ndërsa arrestoi edhe dy transportuesit e saj. Trafikantët ishin dy vëllezër nga Berati./Indeksonline/