E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi dhe Daçiqi do të bisedojnë vetëm për menaxhimin e kufirit

Zyra e baroneshës Ashton po i bën konsultimet e fundit me Zyrën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me atë të Serbisë, Ivica Daçiq, për takimin e radhës në kuadër të dialogut politik.

Të dy kryeministrat pritet të takohen mes 3 dhe 5 dhjetorit, për të biseduar për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, publikimin nga ana e Serbisë të financave që i ndan për institucionet e veta në Kosovë, si dhe për çështjen e zyrave ndërlidhëse, shkruan "Koha Ditore".

Sipas burimeve në Bruksel, përveç zbatimit të IBM-së, takimi nuk pritet të sjellë ndonjë marrëveshje konkrete. Zyrtarë evropianë i kanë thënë gazetës në kushte anonimiteti se baronesha Catherine Ashton nuk pret nga kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, që në këtë fazë të publikojë financat për institucionet e Serbisë në Kosovë.

Marrëveshje nuk do të ketë as për çështjen e zyrave ndërlidhëse. Sipas burimeve, Beogradi ka kërkuar që të ketë zyrtarë të të dyja qeverive në kryeqytetet përkatëse, por këta zyrtarë të vendosen nëpër zyrat e BE-së./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›