E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen 36 celularë te Burgu 313, dështon plani për arratisje masive

Plani i arratisjes së disa të burgosurve duket se ka dështuar, pasi policia ka mundur të bllokojë disa celularë që do të përdoreshin për të realizuar qëllimin e tyre. Policia tha se një 22-vjeçare është arrestuar pasi është kapur në tentativë për të ndihmuar një të burgosur, duke futur në mënyrë të jashtëligjshme brenda qelisë celularë për të komunikuar me jashtë, me qëllim që të përgatisnin arratisjen. E arrestuara Fabiola Musai, është e fejuara e të dënuarit Klodian Meraja, historia e të cilit u bë e njohur kur mori leje katër ditë dhe doli nga burgu i Shën Kollit një vit më parë për t‘i grabitur 80 mijë euro një biznesmeni mermeri në kryeqytet. Policia dyshon se nëpërmjet tregtisë së celularëve në burg dhe komunikimit me personat e jashtëm, Meraja kishte përgatitur arratisjen e tij dhe të shumë miqve të tjerë nga Burgu 313, në të cilin qëndrojnë edhe shumë persona VIP të krimit, siç është banda e Durrësit, por edhe të akuzuarit për çështjen e Gërdecit. Shpesh herë telefonat në burg janë bërë problem, pasi persona shumë të rrezikshëm i kanë përdorur për veprime të ndryshme, që nga komunikimi me avokatin, urdhrat për pjesëtarët e bandave të ngelur jashtë, deri edhe për eliminime fizike. Gjithashtu, telefonat përdoren rëndom nga të burgosurit për zhdukjen e provave, apo për të përgatitur plane arratisjeje.

Arrestimi i 22-vjeçares
Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit Nr. 3 kryen arrestimin në flagrancë të 22-vjeçares Fabiola Musai, lindur e banuese në Durrës, për veprën penale të "Dhënies ndihmë një të burgosuri për largim". E arrestuara dyshohet se ditën e djeshme ka hyrë në ambientet e institucionit të Burgut 313, me synim për të takuar të fejuarin e saj, me 36 celularë, të cilët ishin të vendosur në një frigorifer. Klodian Meraja, tashmë i arrestuar për veprën penale të vjedhjes, vuan dënimin prej 5 vjetësh burgim për grabitje. 22-vjeçarja është kapur në flagrancë nga shërbimi i sigurisë dhe i kontrollit të sendeve të Burgut Nr. 313. Ndaj saj u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të "Dhënies ndihmë një të burgosuri për largim", vepër e cila parashikohet nga neni 324 i Kodit Penal. Sipas Kodit Penal, dhënia e këshillave, informatave, mjeteve, të ndaluarit, të arrestuarit apo të burgosurit, me qëllim për t‘u larguar nga vendi i qëndrimit të detyruar, dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur dhënia ndihmë bëhet nga i ngarkuari me ruajtjen, mbikëqyrjen apo transportimin, ose që për shkak të funksionit, ka të drejtë të hyjë në institucione burgimi apo të ketë lidhje me të ndaluar, arrestuar apo të burgosur, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Hetimi i policisë
Sipas të dhënave policore, çështja në fjalë ka hapur një hetim më të madh. Sipas të dhënave, dyshohet se ky aktivitet kryhej prej disa muajsh. Klodian Meraja, duke shfrytëzuar lidhjet që kishte me njerëzit jashtë, realizonte tregti telefonash brenda burgut. Frigoriferin që mbanin në burg e prishnin herë pas here dhe kërkonin që ta rregullonin jashtë. Kur e nxirrnin, e merrte Fabiola Musai ose njerëz të tjerë. Ata e çonin për ta rregulluar te një mjeshtër frigoriferësh, ndërkohë që kishin blerë sasi të ndryshme celularësh. Celularët mendohet se bliheshin në treg me çmime të lira nga 2 mijë deri në 8 mijë lekë dhe në burg shiteshin me çmime që varionin nga 30 mijë lekë deri në 100 mijë lekë. Ky aktivitet mendohet se është ushtruar në bashkëpunim me disa persona, që janë nën hetim nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me grupin e punës në polici. Veç këtyre personave, policia dyshon se ka pasur bashkëpunëtorë edhe mes gardianëve të burgut. Nga burgjet mësohet se vetë gardianët e kontrollit kanë zbuluar rastin, por për grupin e hetimit mbetet ende i dyshimtë aktiviteti i perfeksionuar për futjen e celularëve në qeli. Sipas shpjegimeve, aparatet telefonikë ishin montuar në pjesën e pasme të frigoriferit. Ata ishin montuar në mënyrë të tillë që të mos zbuloheshin nëse nuk çmontohej frigoriferi. Por, shqetësues mbetet fakti se veç celularëve, nëpërmjet kësaj mënyre mund të futeshin apo janë futur herë të tjera në burg edhe mjete të tjera të ndaluara, deri tek armët. Madje, ditën e djeshme, të zotët e frigoriferit nuk kanë dashur të lejojnë çmontimin e tij me pretendimin se do e dëmtonin. Por, krerët e burgut kanë marrë përsipër të paguajnë çdo dëm nëse do dilte i pastër. Kjo sjell dyshime se punonjës të paidentifikuar të burgjeve mund të kenë pasur informacion për këtë aktivitet të jashtëligjshëm edhe më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›