Kapet pukjani që kalonte klandestinë nga Kapshtica
Trafiku klandestin me shtetin grek ka vënë në pranga një 22-vjeçar me origjinë nga Puka. Burimet e policisë kufitare kanë bërë të ditur se në sajë të një operacioni është zbuluar dhe kapur një grup klandestinësh, të cilët synonin të kalonin në mënyrë ilegale kufirin me shtetin grek nga vija e gjelbër. Sipas policisë, ka qenë një 22-vjeçar me banim në Tiranë udhërrëfyesi i grupit të klandestinëve, të cilët do të niseshin drejt shtetit fqinj në mënyrë të organizuar. Si pasojë e kapjes së grupit është arrestuar edhe 22-vjeçari Bashkim Brahimi, si autor për kalimin e tyre ilegal. Ai është arrestuar nga policia kufitare, ndërsa është kapur në kushtet e flagrancës me një grup klandestinësh prej nëntë personash, të cilët do t‘i kalonte ilegalisht përtej kufirit kundrejt pagesës. Nga hetimet e policisë ka rezultuar se Bashkim Brahimi kishte kërkuar si shpërblim për të kaluar nga vija e gjelbër një shumë prej 100 eurosh për çdo person. Burimet e policisë thanë se Brahimi u kap bashkë me nëntë persona të tjerë rreth orës 19:00 të së enjtes, ndërsa po kalonin në vendin e quajtur "Shtegu i Refugjatëve", ose "Lugina" në fshatin Kapshticë të Devollit. Nëntë personat e tjerë vinin nga rrethet e Pukës, Mirditës e Dibrës dhe kishin rënë dakord për të paguar shumën e kërkuar për të kaluar deri në thellësi të tokës greke. Ndaj 22-vjeçarit është ngritur edhe akuza për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërkohë që mësohet se vetë autori ka pranuar nga ana e tij se do t‘u shërbente të tjerëve pasi kishte kaluar më parë në të njëjtën zonë si klandestin dhe ishte njohur me terrenin.