Inspektorati i ndërtimit shemb një kat pa leje
Fadromat e inspektoratit të ndërtimit kanë vazhduar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në qytetin e Durrësit. Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Durrësit ka ndërhyrë dje në prishjen e një kati shtesë pa leje në Lagjen numër 5 të qytetit, afër stadiumit "Niko Dovana". Godina, e cila kishte të legalizuar katin e parë, po ngrinte katin tjetër pa marrë lejen përkatëse. Në këtë aksion, policia ndërtimore ka pasur mbështetjen e policisë bashkiake, megjithatë prishja ka kaluar e qetë. Kryetari i Inspektoratit Ndërtimor, Afrim Bakaj, shprehet se do të ndëshkohet çdo objekt pa leje në qytet dhe u kujton qytetarëve se ndërtimet pa leje klasifikohen si vepra penale dhe ndëshkohen nga gjoba deri në 2 vjet heqje lirie dhe ligji do të zbatohet rreptësisht. Aksioni i ndërtimoreve do të vazhdojë dhe në ditët e ardhshme, prandaj drejtuesit e tij ftojnë qytetarët të ndërpresin objektet e paligjshme që kanë në ndërtim e sipër, në mënyrë që të mos bëjnë shpenzime të kota. Objekt i aksionit nuk do të jenë vetëm lagjet e qytetit bregdetar, por edhe zonat informale të tij, ku ndërtimi vazhdon me ritme të larta.
v.q.
v.q.