Rrëfimet e të gjymtuarve, në repartin e protezave
Bardhyl Muhadri, 30 vjeç, nga fshati Vlahën i Rrethit të Hasit, është një nga viktimat e minave. Ai tregon se ka qenë 20 vjeç kur ka rënë në mina. "Ka ndodhur më 15 korrik 1999, kur dola me shokët me bagëti në malin afër fshatit. Mbaj mend se ka qenë paradite, ndërsa nga aksidenti kujtoj shpërthimin e tmerrshëm dhe asgjë më shumë. Vetëm pas një çerek ore e kam kuptuar se çfarë kishte ndodhur, kisha humbur kambën e djathtë", thotë Muhadri. Ai tregon se në vitet e para e kishte pasur shumë të vështirë jo vetëm të përshtatej me mungesën e gjymtyrës, por edhe të siguronte një protezë. Ai thotë se me ndihmën e shoqatës VMA e specializuar për viktimat e minave dhe me ndihmën e donatorëve, kryesisht Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, ka udhëtuar dy herë në Slloveni. Por do të ishte jo vetëm e kushtueshme, por edhe e lodhshme të udhëtonte gjatë gjithë jetës kështu, siç tregon ai. "Proteza në fillim më kullonte gjak, ndërsa tani jam përshtatur disi, ndërsa me shërbimin që ofrohet në Kukës do ta kemi shumë më të lehtë", thotë Muhadri. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë, ndërsa jeton së bashku me katër vëllezër dhe prindërit në fshatin e lindjes, ku siç tregon, "shokët dhe familja më duan dhe nuk më trajtojnë si invalid". Ai, ndër të tjera, me donacione amerikane është kualifikuar për shërbimin veteriner të kafshëve në zonën e vet dhe punon njëlloj si të tjerët. Një tjetër viktimë e minave është Ibrahim Bytyçi nga Myç-Hasi, i cili 10 vite më herët ka humbur nga minat krahun e djathtë dhe këmbën e djathtë. Ai ndihmohet nga asistenti i qendrës të vendosë protezat dhe të vishet. "Lëre mos e pyet se çfarë ka ndodhur me ne, veç shyqyr që u bë ky shërbimi i protezave këtu afër, se kemi vuajtur me udhëtime të gjata deri në shtete të tjera", thotë Bytyçi.