Promovohet studimi urbanistik për zonën Orikum-Radhimë
U promovua dje studimi urbanistik i zonës Orikum-Radhimë, një projekt mjaft i rëndësishëm për Rrethin e Vlorës dhe më gjerë, që do ta shndërrojë këtë hapësirë bregdetare në një territor të zhvillimit të turizmit elitar. Studimi urbanistik, i hartuar nga një studio italiane, që u miratua ditë më parë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës, përfshin një zonë prej 1300 hektarësh, me një gjatësi prej 10 km, gjerësi 1000 metra dhe kapacitet akomodues për 50 mijë pushues. Përmes tij synohet të disiplinohet dhe të krijohen kushtet për një turizëm bashkëkohor, me synim zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe urban në këtë zonë, ruajtjen e resurseve turistike, kulturore e arkeologjike që ndodhen këtu, ku përfshihen qyteti antik i Orikut, fshatrat e Tragjasit të Vjetër e Dukatit të Vjetër. Po ashtu, përmes studimit synohet të krijohet një model i ri urban, për ta shndërruar bregdetin e Radhimës në një hapësirë të përshtatshme për të jetuar e zhvilluar aktivitetin turistik. Nga ana tjetër, studimi parashikon zona funksionale e të balancuara, ku veçohen zonat qendër hoteliere e rezidenciale. E veçanta e tij, nga pikëpamja e realizimit, është koeficienti i shfrytëzimit prej 20 për qind, ndërkohë që ndërtimet do të jenë dykatëshe për zonën kodrinore dhe katër katërkatëshe për atë fushore. Në të parashikohet edhe krijimi i një zone të gjelbëruar pranë shtratit të lumit Izvor. Një hapësirë e lirë prej 70-100 metrash larg vijës së ujit do të krijojë kushtet për zgjerimin dhe rritjen e kapacitetit mbajtës të plazheve. Me këtë rast, në një nga mjediset turistike në bregdetin e Radhimës u zhvillua një takim promovues, i organizuar nga Bashkia e Orikumit dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri. Në të ishin të pranishëm biznesmenë vendas e të huaj, të interesuar për t‘u përfshirë në projektet që do të zbatohen në këtë zonë. Deputeti i Vlorës dhe kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, theksoi në fjalën e tij se studimi çel një perspektivë të jashtëzakonshme për zonën, për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. Po ashtu, në këtë takim foli kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Agron Sharra, i cili u ndal në perspektivën e zhvillimit të kësaj zone, ndërkohë që drejtore ekzekutivja e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Marinela Jazoj, garantoi se projekti shihet me mjaft interes nga investitorët e huaj.
M.Marsi
M.Marsi