Villa e Gjinit i shpëton ekskavatorit të Gashit

Ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, nuk do ta ketë kënaqësinë ta shoh ekskavatorin, duke rrënuar villen e deputetit të AAK-së, Ardian Gjini në Prevallë.
Ky zyrtar i lartë i AAK-së juridikisht është në rregull më dokumentacion, që tregon se shtëpia e tij në Prevallë të Prizrenit është në rregull me ligjin.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka thënë se, shpreson se do ta shohë ekskavatorin që i rrënon vilat e ndërtuar pa leje, përfshirë këtu, edhe atë të deputetit, të AAK-së Ardian Gjini, nëse nuk ka leje.
Indeksonline, posedon të gjithë dokumentacion, ku shihet se deputeti Gjini është i pajisur me lejet përkatëse.
Sipas dokumentit të Kontratës së Shitblerjes së Patundshmërisë, shihet se Gjini, villen e ka blerë nga Fazli Cikaqi, nga Suhareka.
“Në bazë të vullnetit të lirë, pa kurrfarë kërcënimi, dhune apo mashtrimi, kontraktuesit janë marrë vesh ndërmjet vetit që, Fazli Cikaqi të shet, përkatësisht Adrian Gjini, të blejë sipërfaqen e përgjithshme prej 265 m2, nga parcela e sipërshënuar, me vija kufitare dhe përmasa të kësaj sipërfaqeje, siç i kanë përcaktuar vetë palët në teren”, thuhet në kontratën e shitblerjes.
Pas kësaj, Ardian Gjini ka bërë kërkesë në Zyrën Kadastrale të Komunës së Prizrenit për bartje të pronës. Ndërkaq, Zyra e Kadastrës ia ka aprovuar kërkesën, dhe prona është bartur në emrin e tij.
Indeksonline, posedon edhe Lejen Urbanistike, që Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit, ia ka lëshuar Fazli Cikaqit.
“Lokacioni për të cilin caktohen kushtet tekniko-urbanistike, sipas kësaj leje urbanistike gjendet në kuadër të Planit rregullues Urban të Zonës së Prevallës, dhe ka destinim për pushim dhe rekreacion, tip – “C6”. Ngastra ndërtimore ka formën e katrëkëdëshit me sipërfaqe prej 265 m2, e drejta e pronësore –juridike Fazli Cikaqi”, thuhet në Lejen Urnastike të pronarit që këtë pronë ia ka shitur, Ardian Gjinit. Kjo leje është lëshuar me datë 04.09.2009 dhe për nënshkrues ka drejtorin Shani Berisha
Megjithëkëtë, ministri Gashi ka thënë për Indeksonline se, do të rrënojë cilëndo ndërtesë në Prevallë që nuk posedon dokumentacionin. Ai pohoi, se nuk ka aluduar në ndërtesën e Ardian Gjinit.
Ai ka pranuar se ky i fundit ka prezantuar të gjithë dokumentacion përkatës ku tregohet që është i pajisur me leje, por sipas tij, edhe ata që kanë leje, nuk mund të rrinë të qetë sepse ato do tu verifikohen.
“Ne nuk e kemi veçuar zotin Gjini, në emrin e tij ka insistuar gazetari. Por, unë po them edhe njëherë se nuk do të këtë përjashtime, veç pse dikush është në pozitë. Në Prevallë janë bërë ndërtime pa kritere, ose janë tejkaluar kriteret, dhe ne këto do ti verifikojmë. Do ti verifikojmë edhe ato lejë që janë lëshuar më herët, nëse ka tejkalim të planit”, tha ministri Gashi. /Indeksonline/