E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i KTV-së në platformat kabllore nuk ndryshon

Pas katër vjetësh prezence të Kohavisionit në platformat kabllore kosovare, është arritur pika në të cilën duhet avancuar statusin e transmetuesit televiziv kombëtar “Kohavision” (KTV) në po ato platforma. Kjo, sidomos duke e marrë parasysh rëndësinë që ka pasur KTV-ja në forcimin e platformave “IPKO” dhe “Kujtesa”, si dhe në rritjen e qarkullimit financiar të tyre, përderisa njëkohësisht gjatë gjithë kësaj kohe të mos jetë kompensuar financiarisht për përmbajtjen e programit që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë.

Dje, në një medium elektronik është plasuar një informatë, më së buti thënë, e pasaktë, sipas të cilës “KTV-ja vullnetarisht do të tërhiqet nga dy platformat kabllore”. Për të shmangur çfarëdo keqkuptimi, e informojmë opinionin se KOHA nuk do ta tërheqë KTV-në nga platformat “IPKO” dhe “Kujtesa”, e as që ka kërkuar që këto platforma ta heqin KTV-në nga lista e televizioneve që e përbëjnë atë. Mirëpo, si kompani, nuk do të tërhiqet as nga qëllimi që me bisedime ndërmjet transmetuesve, nga njëra anë, dhe operatorëve kabllorë, nga ana tjetër, të arrihet marrëveshja për statusin e mëtejmë të transmetuesve në platformat kabllore, gjithnjë në përputhje me aktet ligjore dhe atyre nënligjore të miratuara nga Komisioni i Pavarur i Mediave.

KOHA ka informuar udhëheqjet e dy operatorëve kabllorë, “IPKO” dhe “Kujtesa” se nuk do ta tërheq KTV-në nga platformat ku e gëzon statusin e “transmetuesit të obligueshëm”, pra të transmetuesit që patjetër duhet të transmetohet nga platformat në fjalë. Kjo do të thotë se heqja eventuale e sinjalit të KTV-së nga cilado prej këtyre platformave, do të bëhej në kundërshtim me vullnetin e Grupit KOHA si dhe në kundërshtim me aktet relevante juridike të Komisionit të Pavarur për Media.

Rrëmuja e krijuar dje pa kurrfarë nevoje nga ana e udhëheqësve të një portali që e botoi “informatën” sensacionaliste, vetëm sa e argumenton edhe më fuqishëm nevojën për hartimin dhe miratimin e rregullores së re për kabllorët dhe për ndërmarrjen e masave adekuate nga ana e Komisionit të Pavarur për Media që të mbrohet industria mediale në Kosovë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›