E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 55 kg marijuanë në autobusin e linjës Tiranë-Athinë



Prangosen dy shoferët e mjetit, Ferdinand Nano dhe Ilia Goxhaj, rezultuan si transportuesit e lëndës narkotike

Sekuestrohen nga Policia Kufitare e Kakavijës 55 kg marijuanë, të fshehura në autobusin e linjës Tiranë–Athinë. Në prangat e punonjësve të policisë kanë rënë edhe dy shoferët e mjetit, Ferdinand Nano dhe Ilia Goxhaj, të cilët pas hetimit të kryer, rezultuan si transportuesit e lëndës narkotike. Në autobusin e drogës ishin katër pasagjerë dhe numri i pakët i tyre ka bërë që të dyshojnë punonjësit e pikës doganore. Menjëherë ata kanë filluar nga kontrolli i mjetit, ku dhe kanë gjetur të fshehur 55 pako, me lëndën narkotike. Më pas, autobusi së bashku me 4 pasagjerë është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, ku u bë i mundur identifikimi i pronarëve të lëndës narkotike dhe dokumentimi ligjor i këtij trafiku. Ata janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të marrë masën e arrestit.

Arrestimi

Sipas burimeve nga policia, rreth orës 02:30 të ditës së djeshme, një autobus i linjës Tiranë-Athinë ishte në radhë për të kaluar për në kufirin grek. Punonjësit e pikës doganore të Kakavijës kanë parë se në autobus ishin vetëm katër pasagjerë dhe shoferi. Kjo gjë i bëri të dyshonin ata dhe menjëherë kanë nisur kontrollin e mjetit. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Neoplan”, me targa TR 74 54 L, të shoqërisë “Lilo Tours”, me drejtues mjeti shtetasin Ferdinand Nano, i cili po udhëtonte nga Tirana për në Athinë, rezultoi se në tavanin e autobusit në pjesën e jashtme, në kasetën që shërbente për kondicionerët e autobusit, u konstatuan disa pako të mbështjella me letër natriban, të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Sipas burimeve policore, u lajmërua grupi hetimor dhe specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku konstatuan se në kasetë ndodheshin 55 pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban, me peshë 1 kilogram secila, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Policia arrestoi dy shoferët e autobusit, Ferdinand Nanon dhe Ilia Goxhajn, të dy banues në Tiranë. Dy të arrestuarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “trafikut Ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›