E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE: Bashkia e Tiranës po manipulon të vërtetën për ndërtimin e shkollës në objektet e uzinës "Dinamo e re"



Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) denoncoi dje manipulimin e së vërtetës nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për sa i përket truallit për ndërtimin e shkollës në objektet e uzinës "Dinamo e re". "Kthimi i pronës tek pronari i ligjshëm është detyrim kushtetues dhe është prioritar për qeverinë. Në këtë kontekst, dosja e plotë për terrenin dhe objektet e uzinës "Dinamo e re" është dërguar për shitje në Ministrinë e Financave në korrik të vitit 2008, ndërsa kërkesa e Bashkisë së Tiranës ka ardhur 4 muaj më vonë", - deklaroi dje Iva Tiço, zëdhënësja e METE-s. Në përgjigjen dërguar disa javë më parë Bashkisë së Tiranës i është shpjeguar se ky objekt ka hyrë në procedurë shitjeje dhe nuk mund të kthehet mbrapsht, pasi e drejta e pronës është e drejtë parësore. "Z. Rama po manipulon qytetarët e Bregut të Lumit në emër të shkollës, duke e njohur fare mirë çështjen si dhe pamundësinë për të proceduar më tej", - vihet në dukje në reagimin e ministrisë, e cila vlerëson se Bashkia e Tiranës është rast unikal në Republikën e Shqipërisë, pasi nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast me METE-n për kthimin e pronave tek pronarët e ligjshëm. "Nga 97 kërkesa të dërguara nga METE, z. Rama nuk i është përgjigjur asnjërës prej tyre. Dy ndër këto kërkesa janë edhe ato, ku METE i kërkon bashkisë të shprehet për ndërtimin e dy shkollave në zonën e Porcelanit dhe atë të Kodër-Kamëz. Ndërtimi i shkollave në ato zona ishte i domosdoshëm, por jo aq fitimprurës dhe nuk hyn në axhendën e z. Rama", - tha Tiço.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›