E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 700 kilogramë drogë, vihet në pranga shqiptari 30 vjeç



Artan CENA
LEÇE - Nuk ka të ndaluar trafiku i lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë me gomone. Dhe pse policia shqiptare disa herë ka deklaruar se, është bllokuar trafiku me gomone drejt vendit fqinj, rasti i fundit tregon të kundërtën. Mëngjesin e djeshëm, media italiane ka raportuar se, në bregdetin e Leçes, është bllokuar një mjet lundrues, në të cilin ndodheshin 700 kilogramë marijuanë dhe në pranga është vënë një shqiptar 30 vjeç. Policia nuk e ka bërë të ditur emrin e të ndaluarit, pasi hetimet janë në vijim për të zbardhur emrat e personave që do të merrnin lëndën narkotike. Policia tha se, e kishte pikasur gomonen në det por nuk kishte ndërhyrë me qëllim që ajo të afrohej në breg. Sapo mjeti lundrues është ankoruar në bregdetin shkëmbor, ka shkarkuar menjëherë lëndën narkotike. Njësitë e Guardia di Financës në bashkëpunim me karabinierët e Leçes, kanë ndërhyrë por duke vënë në pranga vetëm njërin prej personave. Gjatë kontrollit, janë gjetur 20 çanta me lëndë narkotike dhe pas peshimit të tyre ka rezultuar se e gjithë sasia ishte 700 kilogramë.
Sekuestrimi
Policia e Leçes në bashkëpunim dhe me Guardia di Financën kanë sekuestruar jo pak por 700 kilogramë lëndë narkotike marijuanë dhe në pranga ka rënë një shqiptar. Lajmi është bërë i ditur nga policia e Leçes, Itali. Sipas tyre, sekuestrimi është bërë në Vernole, një lokalitet bregdetar. Pas kapjes së drogës në pranga ka rënë një një shqiptar 30 vjeç. Policia ka zbuluar një gomone dhe ka pritur që ajo të afrohet pranë bregut pa vepruar. Në momentin kur mjeti lundrues ndaloi dhe personi që ndodhej në bord filloi shkarkimin e drogës, e cila ishte vendosur në qese dhe në 20 çanta, policia ka ndërhyrë. Policia tha se menjëherë janë sekuestruar 572 kilogram marihuanë cilësisë së parë, e cila do të përdorej për shitjen me një vlerë tregu prej 300-400 mijë euro deri në një milion. Droga ishte planifikuar të shitej gjatë verës.
Hetimet
Pas arrestimit të shqiptarit dhe bllokimit të lëndës narkotike, policia tha se nuk ka mundur që të ndalojë skafistët. Ata janë larguar me shpejtësi në momentin kur kanë parë policisë, pasi kishin shkarkuar dhe lëndën narkotike. Media italiane që ka cituar karabinierët, ka bërë të ditur se motorskafi ishte i llojit transoqeanik. Sipas poliisë, droga ishte e destinuar për në qytete të ndryshme të Italisë. Në këtë përfundim është arritur pasi, është analizuar lëndën narkotike. Sipas Guardia di Financës, pakot ishin të mbështjella me letra të ndryshme natribani, kishin shirita të ndryshëm dhe numra të caktuar mbi to. Policia tha se pakot ishin të destinuara për në vende të ndryshme të ndara me ngjyrat e letrës mbështjellëse. Skafistët kanë mundur të largohen duke përfituar dhe nga koha e keqe, ku deti ishte rreth 6 ballë. Policia tha se, po kërkon përgjatë bregut të detit pasi mendohet që të ketë dhe pika të tjera ku trafikantët mund të shkarkojnë lëndën narkotike.

Aplikimet, 1 milionë pasaporta biometrike deri në tetor
TIRANË - Një milion pasaporta biometrike parashikohet të prodhohen deri në fund të muajit tetor. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, konfimon se do të dyfishohet kapaciteti prodhues i tyre. Fundjavën e shkuar u prodhuan 22.600 pasaporta biometrike, ndërsa numri i aplikuesve është rritur ndjeshëm me ardhjen e emigrantëve. Poni sqaron se miratimi i ligjit për nisjen e procedurave të aplikimit në konsullatat tona në Greqi dhe Itali, ku kemi numrin më të lartë të emigrantëve, do të heqë një merak të tyre, për pajisjen në kohë me dokumentin e ri. Ai sqaron se çdo të bëhet me pasaportat e vjetra, që janë në përdorim. Dokumentet bometrike të identifikimit janë një prej kushteve teknike për përfitimin nga liberalizimi i vizave. Sipas tij, emigranet tanë në Greqi dhe Itali në tetor mund të aplikojnë pranë konsullatave shqiptare në Selanik, Athinë apo Romë për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike. Në këtë mënyrë, qeveria krijon lehtësira te emigrantët, të cilët janë detyruar që të kthehen në Shqipëri për t’u pajisur me dokumentet e reja të identifikimit. “Po shohim mundësinë konkrete të hapjes së pikave të aplikimit në disa nga konsullatat e shteteve fqinjë, fillimisht në Itali dhe Greqi. Pas disa kohësh, rreth 3-4 muaj nga sot, qytetarët që banojnë në Athinë ose në Selanik do të mund të aplikojnë për pasaportën edhe atje dhe do ta marrin po atje” thotë zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Sipas tij, Italia dhe Greqia, për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë janë përzgjedhur si të parat për të zbatuar projektin e ri. Poni sqaron se kostoja e dokumentave që do të lëshohen nga konsullatat tona janë pak më të larta, por gjithsesi brenda kostos së prodhimit.

Godet dhe kanos me armë lodër, nën hetim i riu
TIRANË - Kanos me armë lodër, vihet nën hetim një i ri. Policia e Tiranës ka bërë të ditur se, ka filluar proçedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasin R. Segeri, 24 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Vaqarr, me arsim 8 klasë, i pa dënuar. Ai është nën hetim pasi rreth orës 05:30 të dy ditëve më parë, tek ura “Vasil Shanto” ka goditur dhe kanosur me një armë me mbishkrimin “Bruni”, model 85, kalibër 8 mm, prodhim Italian, me një krehër, për motive të dobëta, shtetasin F. Sulaj, 52 vjeç, banues në rrugën “Idriz Dollaku”. Pas vendimit të ekspertëve tekniko-balistikë me Nr. 157, të ditës së djeshme rezultoi se arma ishte lodër dhe shërbente për imitim të zhurmave dhe gazrave dhe nuk realizon qitje me fishek luftarak. Të dëmtuarit ju plotësua akti ekspertim mjeko-ligjor. Dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë.

Arrestohet në Tiranë, hajduti i kishave të Voskopojës
TIRANË - Arben Spaho nga Kamza e Tiranës është arrestuar mëngjesin e djeshëm nën akuzën e vjedhjes së objekteve të kultit në fshatin Voskopojë i njohur për numrin e madh të kishave të vjetra. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës. Sipas tyre, 36-vjeçari ka kryer vjedhjen e Kishës së Shën Mërisë në këtë fshat ku morri të gjitha të hollat e grumbullura në arkën e saj, por dhe disa objekte kulti. Shenjat e gishtave të lëna gjatë vjedhjes kanë çuar policinë e Korçës drejt identifikimit të tij. Dyshohet se i arrestuari është autor i vjedhjes së disa kishave të tjera në Voskopojë gjatë kësaj periudhe.

28 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›