E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria, iluzionet sociale dhe “humbja e shpresës”...



Në trajtimin e problemit të varfërisë në Shqipëri, në përpjekjet për të evidentuar tërësinë e shkaqeve të ekzistencës së këtij fenomeni ekonomiko-social, sidomos të shkaqeve të ekzistencës së saj është bërë e nevojshme që jo vetëm politikisht por dhe sociologjikisht të sigurojmë prerje sociale të thella. Analizat e varfërisë ka ardhur koha që të jenë më analitike dhe të drejtpërdrejta në zbulimin e shkaqeve të ekzistencës. Ndryshe as atë si fenomen social nuk do mund ta observojmë saktë në thelbin e shkaqeve ekzistenciale, por as individin e varfër nuk do mund ta ndihmojmë ashtu sic duhet për të gjetur mundësitë sociale dhe personale për të dalë nga varfëria.
Nga që është folur dhe shkruar shumë për varfërinë në Shqipëri, tipologjinë, shkaqet dhe problemet sociale që e shoqërojnë atë, të duket se ende për të flitet herë në mënyrë të gabuar dhe subjektive dhe herë të tjera me eufemizma dhe tautologji ideologjike. Ca më keq akoma kur shpresohet se gjithcka është e lidhur dhe se mund të zgjidhet me trajtimin dhe mbështjen financiare shtetërore.Më duket se pak është trajtuar problemi në mënyrë komplekse, në pikëprerjen e pamjeve të interferuara të varfërisë me komponentët që në pamje të parë janë ekstraekonomike, dhe që më shumë kanë më natyrë psikologjike dhe sociale dhe të lidhura integralisht me natyrën. Personalitetin dhe aftësitë e personalizuara të njeriut konkret. Kjo optikë e shikimit të problemit sipas mendimit tim, është me shumë vlerë sociale, madje me vlerë më të madhe se cdo ndihmë dhe përkrahje sociale, materiale dhe financiare, sado e madhe që ajo të jetë.
Prandaj është koha që ta vlerësojmë dhe konsiderojmë ndryshe varfërinë si realitet social dhe po ndryshe duhet të orientojmë njerëzit tanë për të dalë prej saj, jo me rrugë dhe ide sociale fantazmagorike por duke ndihmuar që njerëzit ta perceptojnë drejt situatën e varfërisë dhe vecanërisht në kuptimin e shkaqeve që e bëjnë atë fenomen social ende të dukshëm, të ndjeshëm dhe konsistent për shoqërinë tonë. Por për të bërë këtë detyrë të gjithë shteti, media, shoqëria civile, studjues it dhe institucionet që merren me cështjet sociale dhe studimin e “diagramës së varfërisë”, duhet së pari të angazhohen në një betejë me tjetër aks social kundër varfërisë, duke synuar që së pari shpërndarjen e pereceptimit të deformuar të shkaqeve të saj që në të vërtetë është përtej “reve ideologjike” që shpesh krijojnë iluzione për madhësinë e varfërisë, përgjegjësinë e shtetit social dhe të individit në kohën tonë. Nuk mund të mposhtet varfëria kur luftohet në “mënyrë të njëanshme”, as kur ajo konceptohet sipas paradigmës metafizike që e konsideron atë detyrë dhe përgjegjësi ekskluzive për shtetin.
Koha që ka kaluar besoj se ka qënë e bollshme për të na bindur se për zgjidhjen e problemit social dhe zbutjen progresive të varfërisë në Shqipëri, është imperative së pari që ta trajtojmë atë jo si përgjegjësi të njëanshme të shtetit apo të individit, por si raport përgjegjësish, të cilat në thelb nuk janë të barabarta në “ekuacionin e përgjegjësive” sociale, që gjënden në hapësirën e lidhjeve midis individit dhe shtetit. Sepse më duket se për shkaqe neoideologjike dhe iluzione sociale shumë njerëz kanë më as qejf të merren me fantazmagoritë e rolit social të shtetit, i cili padyshim që ka detyrë strategjike veprimtarinë komplekse (jo vetëm ndihmën ekonomike) si kusht për “zbutjen e varfërisë”. Por tepërimet për “përgjegjësinë e shtetit” kanë ndikuar jo vetëm në përhapjen e iluzionit social, një pjesë e të cilit është pasojë dhe trashëgimi e të kaluarës së natyrës së shtetit tone në të kaluarën, por që në kushtet e reja jo vetëm që nuk ka më fuqi vepruese, por në këtë realitet me përgjegjësi të individualizuara më shumë bëhet pengesë për të mos i thënë qartë, për t’i kuptuar të vërtetat ashtu sic janë, për t’i vendosur përgjegjësitë e varfërisë aty ku duhet.
Iluzioni për dimensionin e shtetit social duket se më shumë se realitet është bërë një “ideologji e zbrazët”, të cilës tani në kohën tonë i mungojnë kushtet dhe tereni për të funksionuar. Shteti social kudo në botë është reduktuar në nivelin minimal, që njeriut në nevojë t’i “japë dicka” si ndihmë të përkohshme për të përballuar nevojat emergjente dhe siguruar ekzistencën e përkohëshme pa punë. Por shteti sado social të jetë apo të duket nuk është i detyruar, madje e ka të pamundur që të pretendojë që t’i japë “gjithkujt gjithcka” që i duhet dhe vazhdimisht.
Sigurisht të jesh i varfër nuk është gjë e mirë. Ajo është një fatkeqësi për individin. Por tjetër është varfëria që vjen nga “kushtet e jashtme” që nuk varen nga aftësitë dhe përpjekjet e vecavnta të individit për t’iu shmangur “grackës së varfërisë”, dhe në këtë rast është padyshim e detyrueshme dhe e pranishme edhe përgjegjësia e shtetit dhe shoqërisë, dhe tjetër është varfëria që është e lidhur në mënyrë eksplicite me aftësistë e individit, nivelin e përfshirjes sociale dhe nevojën e angazhimit këmbëngulës për t’u orientuar me tregun e punës. Në këtë kontekst, së pari ne duhet të ndihmojmë njerëzit e varfër që të largohen nga “iluzioni ideologjik” mbi mundësitë e shtetit për të zgjidhur varfërinë individuale, përmes një sitemi të hipertofizuar të ndihmës sociale. Kjo sepse jo vetëm është e pamundur nga pikëpamja ekonomike, por është dhe kundërproduktive nga pikëpamja sociale. Nuk është e keqja tek iluzioni që vjen nga idetë etatiste të individëve në nevojë, nga shpresat e tyre për politika sociale permanente dhe shteruese të shtetit, që të veprojnë si “tampon social” për mbështetje në nevojë dhe kundër situatës së varfërisë poersonale deri në fund të kapërximit të saj, se sa është fjala që ky iluzion ideologjik (për fat në rënie të influencës sociale në shoqërinë shqiptare), ka ndikim në mbajtjen gjallë të situatës që determinon një situatë sociale të paqëndrueshme dhe për një kohë të gjatë e mban familjen (aq sa vazhdon jetën iluzioni social) në varfëri të pashmangshme.
Dhe akoma më tej, përvoja jonë në luftën kundër varfërisë na ka bindur se kjo situatë bëhet akoma më e agravuar, paralizuese e energjive pozitive dhe nxitëse e “dembelizmit social” tek shtresa e të varfërve, të cilët duke u “ushqyer” me iluzione sociale mbeten në pozicion pritjeje të të mirave që do të vijnë nga shteti apo do të “bien nga qielli”. Nuk ka dyshim që duke analizuar përbërjen sociale të shtresave që në vendin tonë jetojnë akoma në varfëri, duket qartë se iluzioni I “ambalazheve sociale” bën që të rritet pesha e njerëzve që jetojnë jshtë realitetit të vërtetë të jetës material dhe që nga besimi në iluzionet sociale janë bërë utopikë dhe e perceptojnë realitetin social të deformuar. Për këto arsye që kryesisht varen prej tyre dhe që në një masë të konsiderueshme lidhen me ta, njerëzit bien në “pritmëri të kota”, bëhen dembelë, adoptohen me “kulturën e varfërisë” dhe në këtë mënyrë “paralizojnë veten”, ulin nivelin e përpjekjeve personale për të dalë vetë nga “gropa e varfërisë” sociale.
Sigurisht për të arritur synimet që kemi në betejën me varfërinë nuk duhet t’i mbajmë sytë vetëm nga ajo cfarë bën dhe cilat janë detyrimet organike të shtetit në luftën kundër varfërisë. Personalisht, duke qënë se jam marrë për një kohë të gjatë me varfërinë dhe luftën kundër saj, dhe mbase nga që i njoh realitetet sociale, shtrirjen dhe intensitetin e saj në nivel kombëtar, më duket se të varfërit më shumë se për “ideologji sociale” kanë nevojë për “ndihmë individuale”, që të nxitë kapacitetet dhe besimin e tyre për t’u angazhuar individualisht si mënyrë efektive për t’i dalë mbanë jetës dhe mposhtur varfërinë e përkohëshme.
Gëzim TUSHI

28 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›