Dy të vdekur në rrugë nga aksidentet, plagosen tre persona
TIRANË - Aksidentet kanë sjellë sërish viktima dhe të plagosur. Dy të rinjë kanë humbur jetën në dy ngjarje të ndodhura njëra në Librazh e tjera në Lezhë. Aksidenti i parë ndodhi në rrugën nacionale Librazhd-Përrenjas, ku një furgon ka dalë nga rruga dhe ka dalë jashtë rruge. Si pasojë e kësaj ngjarjeje ka ngelur i vdekur drejtuesi i mjetit që ishte një 24-vjeçar. Pak kohë më pas në rrugën Lezhë-Shkodër, një 29-vjeçare ndërroi jetë si pasojë e përplasjes së makinës me të cilën ajo po udhëtonte së bashku me bashkëshortin dhe dy persona të tjerë, të cilët janë plagosur rëndë.
Përplasjet
Aksidenti parë me vdekje ndodhi në rrugën Librazhd-Përrenja. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se, paraditen e djeshme në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, në vendin e quajtur Pishkash, ka dalë nga rruga makina e tipit furgon me targa FR 8872 C, me drejtues Marjus Toska, 24 vjec, banues në Tiranë. Si pasojë e këtij aksidenti, ku mjeti ka dalë nga rruga drejtuesi i mjetit ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi Marjus Toska, ndërsa është plagosur shtetasi me inicialet A. N., 59 vjeç, banues në Tiranë. I plagosuri është dërguar në spitalin rajonal të Librazhdit. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë dhe një grup hetimor që po punon për zbadhjen e plotë të aksidentit dhe dokumentimin e ngjarjes. Aksidenti tjetër ndodhi në autostradën Lezhë- Shkodër, në vendin e quajtur Gocaj. Një motorçikletë në të cilën udhëtonin burrë e grua është përplasur me një automjet dhe për pasojë ka gjetur vdekjen 29-vjecarja Tereza Frroku ndërsa bashkëshorti i saj, Arben Frroku 34 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. I riu është dërguar në Spitalin Ushtarak për mjekim më të specializuar.
Sinjalistika
Sezoni i verës shoqërohet edhe me rritjen e lëvizjeve në rrugët më kryesore të vendit. Autostrada Fushë Krujë-Milot shënon jo vetëm fluksin më të lartë por edhe numrin më të madh të aksidenteve rrugore, shpesh me pasojë vdekjen. Shkaku kryesor i aksidenteve të shumta është mungesa e sinjalistikës në këtë autostradë. Mjetet qarkullojnë pa patur asnjë tabelë sinjalizuese për shpejtësinë, rrezikun, apo paralajmërim sikurse duhet të ndodhë në rastet e kryeqëzimit të autostradës me rrugët dytësore. Rreziku më i lartë mbetet kur automjetet tentojnë të hyjnë nga rrugët dytësore në autostradë, në gjatësinë e së cilës qarkullojnë mjete të tjera me shpejtësi të ndryshme.
Xhelozia, 50-vjeçari qëllon me thikë ndaj 37-vjeçares
TIRANË - Xhelozia ka shtyrë një burrë që të qëllojë me thikë ndaj një gruaje, me të ilën kishte lidhje prej tre muajsh. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se, ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në lagjen e Kombinatit në Tiranë. Në pranga është vënë 50-vjeçari Ibrahim Lame, ndërkohë që e plagosura me inicialet L. S., e divoruar, është në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se, Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kryen arrestimin në flagrancë të Ibrahim Lames, 50 vjeç, banues në Kombinat Tiranë. Arrestimi i 50-vjeçarit është bërë pasi dy ditë më parë në mesditë në Rrugën e Qelqit në Tiranë, në ambjentet e banesës së tij, pas një konflikti për motive të dobta ka goditur me armë të ftohtë thikë, një 37-vjeçare e cila është dëmtuar në disa pjesë të trupit. Kanë qenë banorët e pallatit që kanë dëgjuar zënkën dhe kanë njoftuar policinë. E plagosura dërguar menjëherë nga shërbimet e policisë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa 50-vjeçari është vënë në pranga dhe u dërguar në ambientet e Policisë së Tiranës. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të shtetasit Ibrahim Lame, ju dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “vrasjes me dashje”.
Trazira dhe organizatë kriminale, në pranga dy të kërkuar
TIRANË - Dy persona të kërkuar kanë rënë në prangat e policisë. Arrestimi i parë është bërë në pikën kufitare të Kakavijës. Sipas policisë në mëngjesi është arrestuar një person i shpallur në kërkim për trazirat e pak kohëve më parë në Hamallaj të Durrësit. Burime policore lokale njoftojnë se në pranga ka përfunduar shtetasi Gjon Pera, i cili u identifikua përmes sistemit “TIMS” teksa tentonte të hynte në Shqipëri. Sipas burimeve, gjykata e qarkut të Durrësit e kishte dënuar në mungesë Peran me burg pa afat për shkak të pjesëmarrjes në trazirat në fshatin Hamallaj. Arrestimi i dytë është bërë në pikën kufitare të Morinit, Kukës. Në pranga ka rënë një kosovar. Bëhet fjalë për shtetasin Rizman Shaqiri, 42 vjec, lindur dhe banues në Skënderaj të Kosovës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Brukseli, Belgjikë. Gjatë kontrollit të dokumentave të tij në sistemin TIMS është konstatuar se ai rezultonte person në kërkim për kryerjen e disa veprave penale si organizim të organizatave kriminale si dhe trafikim të qënjeve njerëzore,vepra këto të parashikuara në Kodin Penal.
Moti shkakton probleme, tragentet me 5 orë vonesë
DURRËS - Me pesë orë vonesë kanë mbërritur tragetet e linjës Bari- Durrës duke shkaktuar probleme tek pasagjerët e shumtë shqiptarë që kthehen për pushime. Problemet dhe vonesat janë shkaktuar nga koha e keqe që ka përfshirë ditët e fundit rajonin por emigrantët shqiptare shprehen të revoltuar edhe për vonesat shumëorëshe në nisjen e trageteve si dhe faktin se nuk iu është komunikuar asgjë nga autoritetet e portit të Barit për arsyen e vonesave. Trageti i parë që është ankoruar në portin e Durresit ka qenë Venezia dhe më pas kanë mbërritur edhe tre të tjerë duke krijuar një rradhe të gjatë njerëzish në sheshin e trageteve. Burime të policise kufitare të Durrësit kanë bërë të ditur se nga data 19 korrik dhe në vazhdim, për një javë kanë zbritur në portin e Durrësit 23 500 pasagjerë shqiptarë dhe të huaj si dhe 7300 mjete. Fluksi i ardhjes së emigrantëve pritet të rritet në fillim të muajit gusht, kohë që përkon me periudhën e pushimeve të emigrantëve.
28 Korrik 2010