E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarakët e Afganistanit padisin në Gjykatë Komandën Tokësore



Laureta Rryçi - Ushtarakët që braktisën misionin në Afganistan i janë drejtuar Gjykatës për t’u rikthyer sërish në radhët e ushtrisë si dhe për t’u zhdëmtuar financiarisht nga Ministria e Mbrojtjes. Nëpërmjet një padie civile, gjashtë prej ushtarakëve të përjashtuar me firmën e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, pasi kanë marrë dhe mendimin e Avokatit të Popullit kanë vendosur të ndjekin rrugën
ligjore për të rifituar gradën dhe detyrën që kishin. Vetëm pak kohë më parë, Avokati i Popullit i kërkoi Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të rikthente në punë 86 komandot shqiptare të cilët u liruan nga detyra pas ankesave për pagat gjatë misionit paqeruajtës në Afganistan. Pas mbledhjes së dokumentacionit mbi ankesat e komandove, Avokati i Popullit gjeti mangësi në kontratat e nënshkruara nga Ministria e Mbrojtjes me pjesëmarrësit në misionin paqeruajtës ndërsa është vënë re se Ministria ka shkelur premtimin e dhënë para nisjes së trupave në Afganistan, se pagesa e tyre do të ishte 60 euro në ditë, pa tatim. Sipas avokatit të Popullit, pasi kanë mbërritur në Afganistan, Komandot janë paguar me 54 dollarë në ditë duke shkelur kështu premtimin që u ishte dhënë.
Ankesa
Ushtarakët i kishin shkruar letër Kryeministrit Sali Berisha, Ministrit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm ndërkohë që vazhdonin kryerjen e detyrave në operacionet paqeruajtëse.
Pasi janë kthyer në Shqipëri, komandove u është dhënë 10 ditë leje dhe më pas janë thirrur në repart dhe u është njoftuar lirimi nga detyra për “ulje të figurës së ushtarakut”.
Në një rekomandim të dërguar në adresë të Komandës së Forcave Tokësore dhe kreut të saj Gjeneral Brigade Viktor BERDO, me zyrë në Zall-Herr, Avokati i Popullit kërkon kthimin në punë të komandove dhe realizimin e pagesës ndaj tyre siç ishte premtuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Konflikti
Ushtarakët kanë ngritur pretendimin se kanë qenë të punësuar në këtë repart kundrejt kontratave përkatëse. Në periudhën kohore gusht 2009 deri në muajin janar 2010 ata kanë qenë pjesë e kontingjentit të dërguar në misionin paqeruajtës në Afganistan. Para se të niseshin në këtë mision kanë nënshkruar kontratat përkatëse individuale për pjesëmarrje në mision, të cilat kanë pasur disa mangësi në përmbajtjen e tyre sidomos pasqyrim të Nr.të VKM-së, të Urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes, si dhe masën e shpërblimit ditor (dietën) që do të merrnin gjatë kësaj kohë. Megjithatë atyre verbalisht para nisjes në mision u është thënë se dieta ditore do të ishte 60 USD në ditë dhe se kjo nuk do të tatohej. Në muajin dhjetor 2009, kur ndodheshin në Afganistan ata janë informuar se shpërblimi ditor apo dieta ditore, sikurse është pasqyruar në kontratat tip të lidhura me ta ishte tatuar në masën 10 % dhe ata në vend që ata të paguheshin 60 USD në ditë janë paguar 54 USD në ditë.

boc
Kërkesa për eprorët se do të hiqnin dorë nga misioni
Meqenëse e konsideruan këtë veprim si cenim të të drejtave të tyre ligjore, një pjesë e konsiderueshme e kontingjentit të misionit prej 86 personash, me datën 07.12.2009, bënë një kërkesë drejtuar Kryeministrit, Ministrit te Mbrojtjes, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandantit të Forcës së Bashkuar. Në këtë kërkesë ata kërkonin trajtim financiar të barabartë me kolegët e tyre të vendeve të NATO-s, trajtimi të bëhej me euro dhe jo me dollarë, të mos tatohej shpërblimi ditor, si dhe t’u kthehej përgjigje për këto kërkesa. Gjithashtu ata kërkonin që, nëse nuk do te realizoheshin kërkesat e tyre, të ndërpritej menjëherë misioni brenda dt.20.12.2009 dhe kthimin e menjëhershëm të tyre në atdhe. Këtë kërkesë ata ja kanë dorëzuar Komandantit të Misionit Paqeruajtës Petrit Zhuzhi, i cili informoi eprorët e tij në Shqipëri. Pas bërjes së kësaj kërkese, ata janë njoftuar nga komandanti i tyre se ai ishte informuar nga eprorët e tij dhe drejtpërdrejtë edhe nga Ministri i Mbrojtjes në telefon, se do të bëhej rritja e shpërblimit ditor në mision dhe rritja e rrogës së ushtarakëve. Këtë informacion ata e kanë mirëpritur dhe kanë vazhduar kryerjen e detyrës së ngarkuar. Kur janë kthyer në Shqipëri, atyre ju është dhënë leja 10 ditore dhe pas kësaj janë njoftuar që të paraqiten në repart. Nga strukturat drejtuese të repartit, ky veprim i tyre është konsideruar si shkelje e rëndë e disiplinës dhe për këto arsye, pasi u bënë edhe analizat përkatëse është vendosur ndëshkimi i tyre duke i liruar nga detyra dhe nxjerrë në lirim nga FA të RSH. Në këtë kuadër ata janë liruar nga detyra me motivacionin “për ulje të figurës së ushtarakut”. Ankuesit pretendojnë se lirimi i tyre është në kundërshtim me aktet normative në fuqi, sepse ankesa është një e drejtë e ligjshme dhe se atë e bënë për cenimin e të drejtave të tyre ligjore. Përveç kësaj, ata pretendojnë se në fund të fundit nuk e ndërprenë kryerjen e detyrës dhe nuk bënë veprime konkrete refuzuese apo rebeluese.

box
Të dhënat kryesore të padisë
Nr. i Çështjes: 11492
Paditësit: Dashamir Hasa, Eduart Zylalaj, Gani Meta, Genci Kopaci, Murat Meta, Qazim Hatollari
Te paditurit: Komanda e Forcës Tokësore
Lloji i Çështjes: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ
Baza Ligjore: Neni 121 - 129
Objekti: Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, urdhrit Nr.31 datë 15.03.2010 nxjerrë nga Komanda e Forcës tokësore. Rikthimin e paditësve në shërbimin ushtarak si në oficer aktiv në Forcat e Armatosura të RSH. Të bëhet zhdëmtimi financiar i paditësve duke iu dhënë pagat përkatëse për periudhën kohore të qëndrimit padrejtësisht pa punë (në lirim) deri në rikthimin e paditësve në shërbimin ushtarak si nënoficer aktin në Forcat e Armatosura të RSH.
Statusi i dosjes: Gjykim
Gjyqtari: Anila Kristani

28 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›