E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 75 kg hashash në Lazarat, 4 në kërkim

Agjentët e Antidrogës së Gjirokastrës kanë ndjekur trafikantët, të cilët kanë braktisur ngarkesat dhe janë fshehur në fshatin e Lazaratit. Policia: I kemi identifikuar

Gjirokastër Gjatë një operacioni antidrogë, policia e Gjirokastrës ka sekuestruar sërish lëndë narkotike, si dhe ka shpallur në kërkim katër persona, të dyshuar si transportues të saj. Operacioni i koduar “Ngrica” është zhvilluar gjatë orëve të para të ditës së hënë, në dalje të fshatit Lazarat. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, rreth orës 01:30 të së hënës, agjentët e antidrogës kanë marrë një informacion në rrugë operative, sipas të cilit, një sasi lënde narkotike do të transportohej nga disa persona nga Lazarati, në drejtim të kufirit të gjelbër me Greqinë. Shërbime të fshehta policie janë ngritur në dalje të fshatit Lazarat, me qëllim goditjen e kësaj tentative të transportit të lëndëve narkotike. Pas gati një ore nga nisja e operacionit, rreth orës 02.30, specialistë e antidrogës kanë konstatuar në kodrën përballë fshatit Dervicjan, në dalje të fshatit Lazarat katër persona, të cilët po lëviznin me këmbë. “Tre prej tyre mbanin nga një çantë shpine dhe tjetri ecte disa metra përpara grupit për të kontrolluar rrugën”,- thonë specialistët e antidrogës. Pasi kanë ecur rreth 300 metra poshtë fshatit Lazarat, personi që kontrollonte rrugën ka diktuar shërbimet e policisë që ishin duke patrulluar në aksin rrugor Gjirokastër -Muzinë dhe ka vënë në dijeni të tre personat që po transportonin çantat e shpinës. Sipas burimeve policore, në këtë situatë të katër personat të frikësuar nga prania e policisë janë kthyer mbrapsht, së bashku me çantat duke u larguar në drejtim të Lazaratit. Në këto momente kanë hyrë në veprim agjentët e antidrogës, që ishin rreth 100 metra larg grupit të dyshuar për transport të lëndëve narkotike. Të katër personat, porsa kanë parë që po i ndiqte policia, kanë braktisur çantat e shpinës dhe janë larguar me shpejtësi duke u fshehur në brendësi të fshatit Lazarat. Pas mbërritjes në vendngjarje, grupi hetimor konstatoi tri çanta shpine, në të cilat transportoheshin në total 60 pako me lëndë narkotike sasia e së cilës llogaritet në rreth 75 kg marijuanë. Sipas grupit hetimor, ngarkesa me drogë do të çohej me çanta shpine deri në të dalë të fshatit Dervicjan, në afërsi të rrugës kombëtare dhe më pas do t’iu tregtohej disa personave, të cilët do ta transportonin me automjet në drejtim të kufirit me Greqinë. Prej fillimit të këtij viti, strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës gjatë operacioneve antidrogë kanë sekuestruar në total rreth 3 ton lëndë narkotike. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›