E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e ikonave, grup i posaçëm polici-prokurori

Vjedhjet e regjistruara së fundi në disa prej kishave në Qarkun e Gjirokastrës kanë nxitur strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër dhe Prokurorinë e këtij Rrethi për të ngritur një grup të përbashkët hetimor, në lidhje me destinacionin përfundimtar të ikonave të grabitura nga këto objekte kulti, disa prej të cilëve mbajnë edhe statusin e “Monumentit të Kulturës”. Gjatë kësaj fundjave, në kishën e fshatit Bularat u grabitën 27 ikona me moshë gati 200-vjeçare. Gjatë viteve të fundit disa objekte kultit në Qarkun e Gjirokastrës kanë qenë pre e grabitësve të ndryshëm.”Dyshojmë se pas grabitjes, ikonat apo objektet e tjera me vlerë janë trafikuar në drejtim të Greqisë për t’u shitur më pas kundrejt fitimeve të majme”, - thonë specialistët antikrim në Gjirokastër. Vazhdimisht, përfaqësuesit e kishës ortodokse në Gjirokastër kanë kërkuar nga shteti marrjen në mbrojtje te këtyre objekteve dhe veçanërisht të vlerave të trashëgimisë kulturore që ato mbartin. Ndërkohë përfaqësuesit e organizmave të monumenteve të kulturës në Gjirokastër, thonë se e kanë të pamundur që me fondet që disponojnë të mbajnë nga një kujdestar në secilën prej kishave të shpallur “Monument Kulture”. “Ne kemi bërë skedimin e të gjitha objekteve, relikeve historike dhe të trashëgimisë kulturore që kanë objektet e kultit në Qarkun e Gjirokastrës por për mungesë fondesh e kemi të vështirë vendosjen e kujdestarëve në këto objekte”, - thonë përfaqësuesit e Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër në lidhje me këtë problematikë. Grupi i përbashkët hetimor i ngritur së fundi synon të frenojë trafikimin e këtyre vlerave të trashëgimisë kulturore në drejtim të shteteve të tjera. “Ne e kemi disi të vështirë për të identifikuar sasinë dhe ikonat e grabitura, pasi aktualisht kishat në Gjirokastër nuk disponojnë një inventar të saktë në lidhje me këto materiale, megjithatë do të vijojmë punën tonë për të frenuar trafikimin e këtyre ikonave jashtë vendit”, - thonë specialistët e Seksionit të Krimit kundër Pronës, në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër.

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›