Kapen 90 kg hashash në Berat, makina përfundon në kanal
Polica e Beratit zbulon një rrjet trafikantësh droge, ndërkohë që është bllokuar një sasi e konsiderueshme kanabis sativa dhe janë prangosur 2 persona. Mësohet se në këtë rrjet janë përfshirë gjashtë persona, tashmë të identifikuar, por ende të paprangosur. Operacioni është zhvilluar në dy pjesë. Fillimisht, rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, në aksin rrugor Berat-Ura Vajgurore, në afërsi të fshatit Moravë, është prangosur Ervis Aliajn, nga Fieri dhe është sekuestruar 90 kg kanabis sativa. Nga informacionet e siguruara në rrugë operative ishte mësuar se rreth orës 16:00, nga qyteti naftëtar, një makinë tip "Rang Rover", me targa 0971 D, ishte drejtuar drejt Urës Vajgurore, ndërkohë që destinacioni mësohet të ketë qenë qyteti i Fierit. Në ndjekje të "Ranger"-it është vënë një mjet me targa të huaja, ku udhëtonin agjentët e Antidrogës. Por sapo ka mbërritur në qytezën e Urës Vajgurore, Aliaj ka pikasur që po ndiqej dhe ende pa u futur në territorin e qytezës së Urës Vajgurore ka goditur nga pas mjetin ku udhëtonin agjentët e Antidrogës dhe ka ndërruar destinacion, duke ju drejtuar Beratit, ku ishin gati të gjitha strukturat e policisë për bllokimin e tij, përfshi këtu grupet e gatshme, policinë e rendit dhe atë rrugore. Mjeti ku transportohej droga, përshkoi 1 km rrugë dhe hyri në fshatin Moravë. Për shkak të shpejtësisë ka devijuar nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal i plagosur në kraharor shoferi i tij. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka prangosur fierakun. Aksioni i policisë ka vazhduar më pas me prangosjen e Ndriçim Kaçit, në banesën e tij në lagjen " 11 Janari", e cila dyshohet të ketë qenë epiqendra e këtij trafiku. Gjatë kontrollit të bërë në këtë banesë, janë bllokuar dhe 230 thasë të tjerë me kanabis sativa e papresuar. Ndërkohë, policia pohon se tashmë janë të identifikuar emrat e gjashtë pjesëtarëve të tjerë të rrjetit nga qytetet Kuçovë, Fier e Vlorë, por emrat e tyre mbahen të fshehtë për shkak të hetimeve.