E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e arkivave, probleme edhe me mbivendosjen e pronave

Trazirat e vitit 1997 "boshatisën" të gjitha arkivat e institucioneve të rëndësisë së veçantë në Fier. Flakët e zjarrit nuk kursyen as arkivat e dokumenteve dhe për pasojë qindra dokumente rezultojnë të zhdukura. Lista e institucioneve dhe ndërmarrjeve të djegura gjatë fundit të shkurtit dhe fillimit të marsit të vitit 1997 është mjaft e gjatë. Bashkitë, teatrot, hipotekat, kadastrat, gjykatat, prokuroritë, gjendjet civile, maternitetet, spitalet, Arkivi Shtetëror dhe mjaft ndërmarrje të tjera deklarohen si të djegura gjatë periudhës së mosekzistencës së shtetit 12 vjet më parë. Për pasojë gjatë këtyre viteve janë shfaqur me qindra raste mbivendosje pronash, deri dhe privatizime pallatesh të ndërtuara në mënyrë vullnetare para vitit 1992, probleme me pensionet, gjendjen civile etj.

Kështu, në Prokurorinë dhe Gjykatën e Fierit u dogjën të gjitha vendimet e marra deri në atë kohë, si dhe të gjitha dosjet që ishin në shqyrtim e sipër. Disa nga dosjet e djegura në prokurori gjatë vitit 1997 u rihapën falë pak të dhënave që kishte ruajtur policia. Ndërkohë që nga djegiet e të gjithë arkivit të prokurorisë dhe gjykatës shpëtuan edhe mjaft persona me precedencë penale që kishin çështje në shqyrtim. Ndërkohë që në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Fier e Lushnjë të pohojnë se djegia e të dhënave dhe arkivit gjatë vitit 1997 ka sjellë sot me qindra mbivendosje pronash dhe konflikte për pronën, që në shumë raste përfundojnë deri me pasojë në jetë njerëzish. Gjithashtu, me dhjetëra pallate të ndërtuara në mënyrë vullnetare nga ndërmarrjet kryesisht vartëse të kompanisë "Albpetrol" nuk mund të privatizohen sot, pasi dosjet e tyre u dogjën dhe u bastisën së bashku me ndërtesën e kompanisë në fjalë. Djegiet masive të vitit 1997 deri më sot nuk kanë dhënë zgjidhje problemesh, por vetëm sa kanë thelluar konfliktet dhe po zvarrisin popullatën e interesuar për një dokument.

Ma. Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›