Kapen dy persona me 4 kilogramë kanabis
Shkodër Dy persona janë arrestuar nga policia e Shkodrës, pasi janë kapur me 4 kg lëndë narkotike kanabis-sativa .Ka qenë ora 01:00 e së premtes kur strukturat e antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë i shtetasve: Elvis Kajtazi, 29 vjeç, lindur në Pejë të Kosovës dhe banues në Konik – Podgoricë të Malit të Zi, si dhe Pllumb Podja, 34 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula” të qytetit të Shkodrës. Arrestimi i tyre u bë pasi në bazë të informacioneve të marra nga policia, kjo e fundit ka organizuar një operacion të menjëhershëm. Në vendin e quajtur “Ura e fshatit Bardhaj”, komuna Rrethina, Shkodër, pas kontrollit të ushtruar në mjetin veturë tip SKODA, me targë PG AA 817, me drejtues shtetasin Elvis Kajtazi dhe pasagjer shtetasin Pllumb Podja, pikërisht në bagazhin e këtij automjetit, në brendësi të gomës rezervë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 pako të mbështjella me plastmas të zi e natriban, të mbushura me material bimor kanabis-sativa, në formë boçe, në gjendje të tharë, me peshë gjithsej 4 kilogramë. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar këtyre dy shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe një sasi prej 1155 eurosh, të cilat dyshohet të jenë përdorur për të blerë lëndën narkotike të sipërpërmendur.