Vrasja në gjykatën e Lezhës, arrestohet polici rrugor
Pas vrasjes brenda ambienteve të gjykatës së Lezhës, ditën e djeshme është arrestuar efektivi i policisë së qarkullimit Rrugor, Dritan Lorenci.
LEZHË Një tjetër person është arrestuar për ngjarjen e ndodhur në Gjykatën e Lezhës në mes të muajit tetor. Dritan Lorenci, punonjës i policisë së qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë së Lezhës, është arrestuar pasdite, pas kthimit të përgjigjes nga ekspertiza balistike ku rezulton se në vendin e ngjarjes, në Gjykatën e Lezhës janë gjetur edhe gëzhoja që i përkasin armës së tij. Edhe pse mediat denoncuan përfshirjen e punonjësit të policisë në këtë konflikt me armë, kjo e fundit e mohoi një fakt të tillë e së bashku me të edhe Gjykata e Lezhës. Por ekspertiza ka hedhur poshtë këto fakte. Me arrestimin e Dritan Lorencit arrin në gjashtë numri i të arrestuarve për ngjarjen që ka ndodhur në Gjykatën e Lezhës.
Arrestimet
Ngjarja tragjike e që ka ndodhur ditë më parë në qytetin e Lezhës, ku pati përleshje me arme për çështje pronësie me pasojë vdekjen e një personi, çon në pranga gjashtë persona. Të arrestuarit janë: Alban Deda, Viktor Bershimi, Ermal Lulasha, Sokol Seidiaj dhe Mehill Ndreu dhe dje, polici Dritan Lorenci.
Konflikti ka nisur për motive pronësie, pasi familja Deda kishte hapur gjyq me familjen Ndreu ,duke pretenduar se kishte ndërtuar një lokal dhe hotel në tokën truall në pronësi të tyre në qytetin bregdetar të Shëngjinit. Policia thotë se përleshja me armë ka nisur në oborrin e gjykatës mes fiseve Ndeu dhe Dedaj, por pamjet e siguruara nga ambiente në gjykatë dëshmojnë se konflikti ka vijuar edhe brenda ambienteve të gjykatës. Si pasojë e konfrontimit mbeti i vdekur Endri Betaj. Mëhill Ndreu, njëri prej të arrestuarve është një person i njohur në zonën e Lezhës, pasi në të shkuarën ka mbajtur postin e kryetarit të PD-së në këtë qytet. Ndërsa në masën e arrestit i vetmi që ka përfituar nga ana e Gjykatës së Lezhës ka qenë pikërisht Mhill Ndreu, ndaj të cilit është marrë masa “arrest shtëpie”.
Përplasja
Konflikti mes dy grupeve nisi që në sallën e gjyqit, me fyerje dhe kërcënime e përleshje fizike mes personave të interesuar për çështjen e pronësisë. Pasi të gjithë kanë dalë jashtë ambienteve të gjykatës, konflikti është kthyer në përleshje fizike të dhunshme dhe janë nxjerrë armët, disa krisma janë dëgjuar dhe policët që ndodheshin pranë kanë gjetur në tokë pajetë një person dhe tre të tjerë të plagosur rëndë.