E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i hashashit, pranga në zyrën e prokurorit

Një i dyshuar për trafik narkotikësh është prangosur dje në ambientet e Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi ka dhënë dëshminë e tij mbi rrjetin e trafikut të hashashit. Spartak Halili u arrestua në zyrën e prokurorit, pasi dyshohet se është përfshirë në trafikimin e 70kg hashash, i cili është sekuestruar në kufi me Greqinë pak kohë më parë. Sipas burimeve, mësohet se Halili ishte i dyshuar si pjesë e grupit të trafikantëve, por hetimi i tij ishte kryer në gjendje të lirë. Ditën e djeshme i dyshuari ishte thirrur në prokurori për t’u marrë në pyetje në lidhje me linjën e trafikut. Pasi ka dhënë dëshminë e tij, prokurori i çështjes ka firmosur një urdhër-ndalim, ndërsa policia ka kryer ekzekutimin e tij, duke nxjerrë të dyshuarin me pranga në duar nga godina e Krimeve të Rënda. Sipas prokurorisë, mësohet se në linjën e trafikut të narkotikëve për të cilën u arrestua Halili, dyshohet se janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët janë nën hetim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›