E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy shqiptarëve, autorë të 55 grabitjeve

Policia italiane ka arrestuar dje dy shqiptarë si eksponentë kryesorë të një grupi grabitësish me rekord 55 vjedhje të dokumentuara. Një djalë i moshës 31- vjeçare, i cili banonte në Prato, u arrestua së bashku me një shokun e tij, që të dy shqiptarë në mërgim në Itali, nga policia e Bolzanos, me akuzën se është autor i 55 grabitjeve në apartamentet e një zone të vetme. Zona e Alto Adiges ishte epiqendra e sulmeve të tij, ndërsa veprimtari më të rrallë ushtronte edhe në zona të tjera, si në Milano dhe Lodi. Nga ky operacion u bë i mundur sekuestrimi i pesë makinave të vjedhura, 10 mijë eurove, florinj të vjedhur që kapin vlerën e 20 mijë eurove, kompjuter dhe pajisje të tjera kompjuterike me vlerë 15 mijë euro. Ndërkaq, nga ana e policisë thuhet se ky operacion po vijon ende dhe se janë denoncuar edhe shqiptarë të tjerë si të përfshirë në grupin e grabitësve. Policia e Bolzanos ka nisur një operacion të gjerë në kapjen dhe neutralizimin e të gjitha grupeve që kryejnë grabitje, ndërsa në këtë zonë vetëm muajt e fundit janë goditur tre grupe shqiptarësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›