Urdhri i ministrit Halimi: Inspektim blic në 12 gjykata
Shmangia e korrupsionit dhe rritja e transparencës shtyn ministrin e Drejtësisë të urdhërojë kontrollet në gjykata. 20 inspektorë përfshihen në proces
Tiranë Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka urdhëruar dje një inspektim blic në 12 gjykata të vendit. Të paktën 20 inspektorë dhe informaticienë të ministrisë janë shpërndarë në gjykatat që do të kontrollohen, ku do të verifikohet hedhja e shortit nga kancelarët e këtyre gjykatave. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, inspektimi ka si qëllim shmangien e korrupsionit dhe rritjen e transparencës në radhën e ndarjes së çështjeve nga krerët e gjykatave. Inspektimi do të kalojë në sitë shortin për muajin tetor në 7 gjykata të faktit dhe 5 gjykatave të apelit. Ky kontroll nisi pas ankesave të shumta të mbërritura në Ministrinë e Drejtësisë nga qytetarët për hedhjen e shortit dhe abuzimet me të. Sipas burimeve, mësohet se inspektimi ka përfunduar ditën e djeshme në të gjitha gjykatat objekt kontrolli, ndërsa të dhënat e mbledhura do të analizohen nga inspektorët dhe informaticienët e ministrisë, të cilët do të hartojnë edhe një raport për të dhënat e evidentuara gjatë inspektimit. Për inspektimin e urdhëruar nga ministri i Drejtësisë, ka folur edhe drejtoresha e përgjithshme për Çështjet e Drejtësisë, Marsida Xhaferllari, e cila kryeson inspektimin e nisur ditën e djeshme. Sipas saj, shorti është proces mjaft i rëndësishëm dhe si i tillë është pika fillestare për shqyrtimin e një çështjeje gjyqësore. “Kur ligji thotë që ndarja e çështjeve gjyqësore ndahet me short nëpër gjykata, mban gjithmonë në konsideratë disa parime themelore që garantojnë procesin e rregullt ligjor”- tha Xhaferllari. Sipas saj, vendimi për inspektimin tematik në 12 gjykata të vendit synon jo vetëm zbatimin me korrektësi të parimeve që e përshkojnë shortin, por edhe sigurimin e transparencës, besimit të publikut dhe shmangien e korrupsionit. Në procesin e hedhjes së shortit janë të angazhuar dy nga figurat qendrore të menaxhimit administrativ në gjykatë, siç është kryetari dhe kancelari. “Nga tematika e ankesave të paraqitura pranë Ministrisë së Drejtësisë na ka rezultuar një shqetësim në publik që, le të themi, pazaret nëpër gjykata fillojnë në ndarjen e çështjeve me anë të shortit”,- tha dje për median Xhaferllari. Rezultatet e kontrollit të nisur ditën e djeshme pritet të bëhen shumë shpejt publike. L.Bakillari