Ktheheshin nga pushimet, vdes çifti në aksident
LIBRAZHD – Drejtuesi i një mjeti dhe e shoqja humbën jetën, pasi u përplas me një maune në rrugën nacionale Librazhd-Përrenjas. Aksidenti ndodhi gjatë orëve të pasdites në vendin e quajtur Qukës. Mjeti tip “Opel”, ku udhëtonte një familje nga Tirana u godit fuqishëm ballazi me makinën e tonazhit të rëndë, drejtuar nga një shtetas maqedonas. Policia e Librazhdit e mbërritur menjëherë në vendngjarje ka transportuar për në spitalin e qytetit të plagosurit dhe është përpjekur t’i japë ndihmën e parë drejtuesit. Por për 45-vjeçarin Demir Besinin, gjithçka ka qenë e kotë, pasi ai kishte ndërruar jetë menjëherë pas përplasjes. Familja Besini mësohet se kthehej në Tiranë nga pushimet në Pogradec. Bashkë me drejtuesin, në makinë ndodhej e shoqja 38-vjeçare, Esmeralda si dhe vajza e tyre 15-vjeçare. Sipas burimeve policore bëhet e ditur se gjendja e tyre ishte e rëndë, për shkak të frakturave të shumta që kanë marrë. Në orët e vona ka ndërruar jetë dhe e shoqja e shoferit. Në aksident ka mbetur i plagosur lehtë shoferi maqedonas, Monico Ditroski, 53 vjeç, i cili po kthehej në vendin e tij, pasi kishte sjellë në Shqipëri materiale ndërtimi. Policia Rrugore ka këqyrur vendin e ngjarjes, duke nxjerrë konkluzionin paraprak. Sipas saj dyshohet se tentativa e gabuar në parakalim nga ana e viktimës ka sjellë dhe përplasjen fatale. Ndërkohë, pak kilometra nga vendi i aksidentit me pasojë vdekjen e një shtetasi dhe plagosjen e tre të tjerëve një tjetër aksident është shënuar. Dy mjete u përfshinë në aksident, por pa sjellë të lënduar. Aksidenti i djeshëm çon në tre numrin e viktimave në Qarkun e Elbasanit brenda 3 ditësh. a.k