E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen katër kurdë të fshehur në maunen me fruta

Katër persona të kombësisë kurde, që dukej se donin të kalonin përmes Shqipërisë për në Malin e Zi në mënyrë ilegale, janë kapur dje në Kapshticë, brenda një makine që transportonte fruta. Burime nga policia thanë se ky ishte rasti i dytë brenda pak ditësh, pasi më parë në Tiranë u ndaluan 11 klandestinë kurdë të fshehur brenda një kamioni mallrash. Rasti në fjalë u zbulua në Doganën e Kapshticës, kur gjatë kontrollit policia gjeti katër klandestinët të fshehur në një mjet transporti frutash, që tranzitonte nëpër Shqipëri me destinacion Malin e Zi. Kapja e katër kurdëve, të cilët kishin hyrë në territorin shqiptar në mënyrë të paligjshme, u bë rreth orës 10:00, në pikën doganore të Kapshticës, ndërsa policia menjëherë mori masën e arrestit për ta. Sipas burimeve nge policia, ata u zbuluan gjatë kontrollit të mjetit frigoriferik me targë PGGB648/PG014, ku efektivët e doganës kishin dyshuar për praninë e njerëzve brenda mjetit.

Nga kontrolli i imtësishëm, në pjesën fundore të kamionit frigoriferik u zbuluan katër klandestinët e fshehur. Të katër janë me kombësi kurde dhe përkatësisht të moshave 20-25 vjeç. Sipas dokumentacionit shoqërues, mjeti frigoriferik me targë PGGB648/PG014 transportonte portokalle nga Greqia drejt Malit të Zi, për llogari të firmës malazeze POP FRUIT DOD, duke tranzituar nëpër Shqipëri. Dogana e Kapshticës bën me dije se klandestinët kurdë iu dorëzuan autoriteteve policore, ndërsa për drejtuesin e mjetit, shtetasin malazez Vatko Sekulic, u mor masa e ndalimit.

Sekuestrohen 52 kg hashash, pranga të riut

Policia sekuestroi dje 52 kg kanabis afër Kapshticës, dhe sipas saj droga do të trafikohej në Greqi. Burime nga policia e Korçës thanë se sasia e drogës u kap pas kontrollit në një prej makinave që udhëtonin në drejtim të shtetit fqinj. Nga të dhënat mësohet se droga transportohej nga një 24-vjeçar, i cili është ndaluar, ndërkohë që është bllokuar sasia e hashashit që ishte nisur për në Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›