Vrau prindërit e të dashurit të vajzës, 25 vjet burg ish-punonjësit të Bashkisë
Gjykata e Tiranës dënoi me burgim të përjetshëm Ylli Sherifin, por pranimi i akuzës i ul atij dënimin në 25 vjet burg. Ekzekutoi Fatmir dhe Anife Elezin, pasi e bija u “arratis” në shtëpinë e tyre
Tiranë Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor, duke dënuar me burgim të përjetshëm Ylli Sherifin, i akuzuar për vrasjen e prindërve të të dashurit të vajzës. Vendimi është dhënë pak ditë më parë nga një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Shefkie Demiraj, i cili shpalli fajtor Sherifin për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Falë gjykimit të shkurtuar, Ylli Sherifi i akuzuar për “vrasje të dyfishtë” dhe “plagosje”, arriti t’i shpëtojë vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm, pasi përfundimisht u dënua me 25 vjet heqje lirie. Sipas vendimit të gjykatës, Sherifi është shpallur fajtor për akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj shtetasve Fatmir dhe Anife Elezi, të cilët ishin prindërit e të dashurit të vajzës së të pandehurit. Që në fillim të gjykimit, i akuzuari për vrasje të dyfishtë pranoi akuzën dhe kërkoi gjykim të shkurtuar duke i shpëtuar kështu dënimit me burgim të përjetshëm. Gjithashtu, në vendim gjykata shprehet se Sherifi është shpallur fajtor edhe për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe në bashkim të dy dënimeve është dënuar me burgim të përjetshëm, dënim ky që ka zbritur në 25 vjet heqje lire falë përfitimit nga gjykimi i shkurtuar. Sipas Prokurorisë së Tiranës, ish-punonjësi i Ndërmarrjes së Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës, u akuzua për vrasjen e prindërve të të dashurit të vajzës së tij. Ngjarja e rëndë që ka si protagonist Ylli Sherifin, ka ndodhur në fillim të korrikut në kryeqytet. Krimi i ndodhur në zonën e Alliasit pati si zanafillë largimin e vajzës së autorit nga banesa e prindërve të saj, për të shkuar tek shtëpia e të dashurit. Vajza e Ylli Sherifit, A. Sherifi ishte larguar nga shtëpia me dëshirën e saj për të shkuar në banesën e të dashurit të saj, djalit të Anife dhe Fatmir Elmazit, të cilët mbetën të vrarë nga Ylli Sherifi. Largimi i vajzës nga banesa nuk është pritur mirë nga Sherifi, i cili e kishte fejuar atë pak kohë më parë me një tjetër person, por me të cilin vajza vendosi të ndahej. Ylli Sherifi, i cili punonte në Ndërmarrjen e Pastrimit në kryeqytet, fillimisht i është drejtuar policisë duke denoncuar largimin nga shtëpia të vajzës së tij, por nga ana e saj, policia e Tiranës kishte dalë në konkluzionin se ajo është larguar me dëshirë dhe qëndron në banesën e familjes Elmazi. Pas kësaj, në polici u paraqitën Ylli Sherifi dhe Fatmir Elmazi, të cilët vendosën t’u jepnin fund konflikteve dhe t’i linin të qetë dy të rinjtë. Për këtë, ata firmosën dhe përpara efektivëve të Komisariatit 4, por duket se plani i Ylli Sherifit nuk mbyllej me kaq. Në fillim të muajit korrik, Sherifi ka trokitur në derën e “krushqve” të tij dhe pasi ata kanë hapur derën, i ka qëlluar me kallashnikov. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Sherifi është munduar të largohet me shpejtësi për t’u shpëtuar gjurmëve të policisë, por vetëm një orë pas krimit ai është arrestuar nga ana e uniformave blu. Si pasojë e plagëve të marra ka mbetur i vdekur në vend Fatmir Elezi, ndërsa bashkëshortja e tij, Anife Elezi ka ndërruar jetë tri ditë më pas në spital. Në këtë ngjarje ka mbetur i plagosur edhe dhëndri i familjes Elezi, i cili në momentet e ngjarjes ndodhej për vizitë në banesën e prindërve të bashkëshortes së tij.