Prita në hyrje të tunelit të Kalimashit, arrestohet një nga autorët
Plagosi rëndë një 20-vjeçar duke i bërë pritë në hyrje të tunelit të Kalimashit, arrestohet 52-vjeçari. Burime nga policia e Kukësit thanë se kishin arrestuar Kadri Matmujën 52 vjeç, nga fshati Pobreg i Kukësit, pasi ai dyshohet se “në bashkëpunim me vëllanë e tij, Faik Matmuja 40 vjeç, rreth orës 23:50 të datës 25 nëntor 2011, në aksin rrugor Kukës –Kalimash, në afërsi të tunelit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip furgon të drejtuar nga Vladimir D., vjeç 20, nga Kukësi, duke e plagosur atë”. Sipas policisë, i plagosuri Vladimir D. aktualisht është jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku është dërguar për ndihmë më të kualifikuar mjekësore. “Identifikimi i autorëve dhe dokumentimi i plotë ligjor i kësaj ngjarjeje u bënë të mundur në sajë të një pune intensive hetimore të strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës”, thuhet në një komunikatë të policisë. Ndërkohë, policia njofton se është në kërkim të autorit tjetër të ngjarjes, pasi operacioni i parë ka vënë në pranga vetëm vëllanë e madh. “Nga strukturat e policisë është ushtruar kontroll në banesën e këtyre dy shtetasve, ku në banesën e Kadri Matmujas u gjetën dhe sekuestruan 900 copë fishekë model 56, ndërkohë që në banesën e shtetasit Faik Matmuja u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri automatik model 56, me një krehër me fishekë”, bëri të ditur policia.