E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monument përkujtimor në Kllogjer, çelet faza finale e konkursit

TIRANE - Shoqata “Çamëria” çeli sot në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën e projekteve të fazës finale të konkursit “Varreza monumentale të shqiptarëve të Çamërisë në Qafë Botë”, ku u ekspozuan tetë projektet e studiove prestigjioze nga Shqipëria dhe Kosova.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një javë dhe më pas do të shpallet projekti fitues, në bazë të së cilit do të ndërtohen edhe varrezat monumentale në fshatin Kllogjer të Sarandës.Varrezat do të shërbejnë si monumenti përkujtimor i rreth 2600 shqiptarëve të Çamërisë, të cilët humbën jetën nga uria, etja dhe sëmundjet rrugës për në Shqipëri pas gjenocidit grek.

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi në cilësinë e mbështetësit të këtij aktiviteti, vlerësoi se pas 65-vjetësh shqiptarët e Çamërisë që humbën jetën në mënyrë tragjike do të përkujtohen në mënyrë dinjitoze.

“Ky projekt shërben për të kujtuar në mënyrë dinjitoze më shumë se 2600 shqiptarë të Çamërisë të cilët humbën jetën nga etja dhe uria gjatë marshimit të tyre biblik nga Çamëria në shtetin shqiptar, pas dëbimit gjenocidit të bandave të Napoleon Zervës. Tetë projektet e ekspozuara janë mjaft cilësore dhe projekti fitues do të zbatohet në varrezat, tashmë masive, të Kllogjerit. Ky është një monument tribun që ne u bëjmë shqiptarëve të Çamërisë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë”, – theksoi Idrizi.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›