Kapen me 1 kg flori, ndiqen të liri
27/03/2005 TIRANË – Edhe pse janë kapur nga policia me 1 kg flori në qendër të Tiranës, duke e shitur në mënyrë të paligjshme, gjykata dje i ka lënë me masën e arrestit detyrim paraqitjeje. Vendimi u dha nga gjyqtarja Anila Kristani. Kjo masë është dukur e mjaftueshme për gjykatën, pasi, sipas saj, personat e arrestuar, duke shitur sende të florinjta, nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore. Të pandehurit janë Taulant Ademi, me banim në Tiranë, të cilit iu gjetën 485.8 gramë flori dhe sende të tjera si unaza, vathë, byzylykë, varëse. Gazmend Pjeruci, 44 vjeç, iu gjet në momentin e ndalimit nga policia 148 gramë flori dhe Shkëlqim Demarku nga Durrësi, të cilit iu gjet 250 gramë flori. I gjithë floriri i gjetur në xhepat e të ndaluarve u bllokua nga policia në cilësinë e provës materiale. Të pandehurit, sipas akuzës, janë paralajmëruar disa herë për të ndërprerë tregtinë e paligjshme të sendeve të florinjta. Prokurori tha se të gjithë këta persona, mallin e kanë futur kontrabandë në vend dhe e gjithë kjo sasi vjen si pasojë e kryerjes së një vepre tjetër penale, që është grabitja. Edhe për këta të pandehur, prokurori kërkoi dhënien e masës së arrestit burg pa afat, masë që nuk u dha nga gjykata. Për gjykatën, mbajtja e këtyre personave në burg do të ishte thjeshtë një mbingarkesë dhe shpenzim i dyfishtë. Edhe me masën e detyrimit për paraqitje, këta të pandehur janë të detyruar të bëjnë takim me oficerin e policisë gjyqësore një herë në dy javë, deri sa çështja të vijë në gjykatë.