Komisioni Bujqësisë pika më kyçe
27/03/2005 Komisioni parlamentar i Bujqësisë duket se do të jetë dhe qendra e debatit në caktimin e çmimit të tokës në Shqipëri. Kjo për vetë faktin se në të bëjnë pjesë deputetët që janë përfshirë më shumë në çështjen e ligjit të pronave. Sipas programit të punës, do të jenë deputetët Zydi Pepa dhe Maksim Begeja, që do të paraqesin relacionin mbi këtë Metodikë. Në diskutimet e zhvilluara një vit më parë, Komisioni i Bujqësisë kërkoi që çmimi i tokës të jetë ai i momentit të shpronësimit, duke i shtuar koeficientët e rritjes së çmimit. Kjo është kundërshtuar nga shumica e deputetëve të parlamentit, duke sjellë dhe një debat të ashpër. Duket se e njëjta situatë do të ripërsëritet në Komisionin e Bujqësisë, ku vërejtjet mbi Metodikën do të jenë dhe më të ashpra.