Xhafaj në Turqi, nënshkruhet protokolli i bashkëpunimit

27/03/2005 Shqipëria dhe Turqia do të bashkëpunojnë edhe në fushën e drejtësisë. Një gjë e tillë u bë e mundur pas nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit midis dy ministrave të Drejtësisë së Shqipërisë dhe Turqisë në Ankara. Bashkë me ministrin Xhafaj, në Turqi ishin edhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Engjëll Hysi dhe drejtori i Inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë, Arjan Salati. Gjatë takimit midis dy ministrave, u tha se vendet që ata përfaqësojnë nuk kanë probleme midis tyre, duke shtuar se në fushën e drejtësisë do të punojnë për të bërë diçka pozitive. Takimi i Xhafës me ministrin e Drejtësisë turke, bëhet pas vizitës së këtij të fundit në vendin tonë. Sipas protokollit të bashkëpunimit, Turqia dhe Shqipëria do të shkëmbejnë informacion lidhur me çështje të ndryshme ligjore. Nga ana tjetër, dy ministritë do të organizojnë konferenca, seminare dhe trajnime të përbashkëta në fushën e të drejtës, me trajnimin jo vetëm të stafeve të ministrive, por edhe gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ministri Xhafaj e informoi homologun turk lidhur me plotësimin e legjislacionit në Shqipëri në fushën penale, sidomos me miratimin e katër paketave të rëndësishme ligjore në luftën kundër krimit të organizuar dhe synimin që këtë vit Ministria e Drejtësisë të përqëndrohet në reformën në sistemin gjyqësor. “Ne si popull turk kemi parimin që çdo veprim pozitiv në Shqipëri na lumturon. Protokolli i sotëm do t'i hapë rrugë bashkëpunimit të mëtejshëm. Ne jemi të gatshëm të ndajmë çdo lloj eksperience me sistemin e drejtësisë, në burgje dhe paraburgime. Drejtësia është një çështje që ka të bëjë me njeriun. Për këtë arsye, ata që zbatojnë drejtësinë janë shumë të rëndësishëm për ne. Është shumë e rëndësishme që gjyqtarët dhe prokurorët tanë të takohen shpesh", tha ministri turk, Cicek. Të dy ministrat shkëmbyen informacion lidhur me reformat që do të ndërmarrin në kuadër të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian, ku dhe Turqia është duke negociuar.