Lëshoi shtëpinë për prostitucion, lirohet nga gjykata
27/03/2005 TIRANË – Gjykata e Tiranës e dërgoi në arrest shtëpie, Rozeta Alkun, 37 vjeçe, akuzuar për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit me qëllim përfitimi. Avokati Fariz Xhurxhi, arriti të bindë gjykatën se klientja e tij nuk ka patur si qëllim lëshimin e shtëpisë për të mbajtur prostituta dhe shfrytëzuar, por donte vetëm të ndihmonte nga ana ekonomike një vajzë 18-vjeçare, që i kishte kërkuar ndihmë. Vetë e pandehura është shprehur se nuk ka bërë asnjëherë veprime të tilla, madje, njihet në lagje si person që ndihmon të tjerët. Ndryshe mendonte prokurori i çështjes, i cili kërkoi lënien e të pandehurës në burg. Ai paraqiti në gjykatë dosjen, në bazë të së cilës vërtetohej se e pandehura kishte përfituar nga një vajzë 18-vjeçare, duke e joshur me para dhe njohur me disa djem për të ushtruar veprimtarinë e prostitutës. E pandehura, sipas akuzës, kishte një banesë pranë stacionit të trenit. Klientelën për vajzën 18-vjeçare e gjente e pandehura, e cila ndante paratë me të. Ndërsa, prokurori tha në gjykatë se, vajza 18-vjeçare u kap në flagrancë nga policia në shtëpinë e të pandehurës, duke ushtruar prostitucion. Hapja e shtëpive nga shumë persona në Tiranë me qëllim ushtrimin e prostitucionit, është bërë e modës. Papunësia është një nga faktorët kryesorë që detyron shumë njerëz të ushtrojnë profesionin e prostitutës dhe shumë të tjerë, atë të shfrytëzimit të prostitucionit me qëllim përfitimi.