Vidhet arka e kishës në Ksamil
Pas besimtarëve që morën pjesë në ceremoninë e Pashkëve, kisha e qytezës së Ksamilit është "vizituar" nga një grup hajdutësh. Ngjarja ka ndodhur në minutat e para të ditës së djeshme, pas mesnatës të së dielës, bëjnë të ditur burimet policore. Grupi hetimor që ka shkuar në vendngjarje, ka konstatuar se depërtimi në mjediset e brendshme të kishës është bërë nga një prej dritareve të pasme të ndërtesës, ku u gjet xhami i thyer. Objekt i sulmit të grabitësve ka qenë arka e kishës, pasi kanë menduar se ajo është e mbushur me lekë dhe euro të hedhur nga besimtarët që festuan Pashkët. Sipas hetimeve të para, hajdutët ia kanë dalë që nga arka të marrin të gjithë shumën e grumbulluar, jo vetëm me rastin e Pashkëve të sivjetme, por gjatë një periudhe 3-vjeçare. Por mësohet se kjo nuk kalonte më shumë se 50 mijë lekë të reja. Ndërkohë, policia ka shtuar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe zbulimin e autorëve.