E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, policia godet një rrjet të trafikut të klandestinëve

Një operacion kundër trafikut të qenieve njerëzore ka vënë në pranga gjashtë persona. Policia tha se ka arrestuar një rrjet trafikantësh të qenieve njerëzore, të cilët bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të kaluar klandestinë në Greqi kundrejt pagesës. Burime zyrtare të policisë kanë thënë se janë arrestuar Olger Fifo, 21 vjeç, Elton Bregu, 32, Spiro Meka, 53, dhe Olsi Meka, 31 vjeç, që të katërt nga Bilishti, si dhe dy 30-vjeçarë nga Korça; Klodian Kami dhe Endri Xhelollari. Sipas policisë ata janë kapur në flagrancë pasi ishin pikasur duke transportuar klandestinë drejt kufirit të gjelbër, për të bërë më pas edhe kalimin e tyre në Greqi kundrejt një pagese. Klandestinët që vinin nga rrethe të ndryshme dërgoheshin me furgon në qytetin e Bilishtit, ku më pas merreshin nga katër personat e tjerë, të vënë në pranga për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri. Burimet e policisë kanë thënë se për të bërë prangosjen e gjashtë personave janë marrë si dëshmitarë 10 shtetas, të cilët kishin paguar për të shkuar drejt shtetit fqinj. Ata kanë deklaruar se do të kalonin ilegalisht për në me 800-1000 euro për person. Dhjetë klandestinët, pasi janë kapur nga shërbimet policore, deklaruan se kanë dhënë para për gjashtë persona si dhe mënyrën se si procedohej për të kaluar më pas përtej kufirit. Sipas Policisë së Korçës, në operacionin për arrestimin e këtyre 6 personave, janë gjetur e siguruar edhe prova, krahas dëshmive të marra. Policia bëri të ditur se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale për këtë rast trafiku të qenieve njerëzore edhe pesë automjete, pronë e personave të ndaluar si një mjet tip furgon, dhe katër autovetura tip "Mercedes Benz", me të cilat janë transportuar klandestinët. Po ashtu janë sekuestruar edhe tetë aparate telefonikë celularë, si dhe një shumë e konsiderueshme të hollash që dispononin personat e arrestuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›