E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet autori i vrasjes se 20- vjeçarit mbrëmë në plazh

Është arrestuar në Shijak, 22 vjeçari Fatjon Shehu, autori i vrasjes që ndodhi mbrëmë në plazhin e Durrësit. Pas një aksioni të policisë është lokalizuar dhe kapur autori që vrau 20-vjeçarin Renato K me thikë në plazh.

Ngjarja

Një 20-vjeçar është gjetur pa jetë në Durrës pranë stacionit të autobusit në zonën e plazhit. Sipas burimeve policore viktima është shtetasi 20-vjeçar Renato K, i cili është vrarë me thikë dhe ka gjetur vdekjen si pasojë e dy goditjeve të forta që ka marrë.

Viktima është gjetur nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar me urgjencë policinë. Për të riun nuk ka qenë e mundur të bëhet asgjë, pasi ai ka rezultuar i pajetë që në momentin që është gjetur.

“Ai është banor i lagjes numër 13 të qytetit”- thanë burimet policore. Viktima është dërguar në morgun e qytetit dhe pas ekspertizës që i është bërë, ekspertët kanë sqaruar se ai ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjes që ka marrë në zemër. “Goditja në zemër ka qenë vdekjeprurëse, ndërsa goditja në kokë ka qenë më sipërfaqësore”- thanë ekspertët.

Nga hetimet e para mësohet se viktima ka qenë brenda në një lokal pranë zonës ku u gjet dhe aty është përfshirë në një sherr, që ka degjeneruar në përleshje me armë të ftohta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›