Plagos me thikë gruan, arrestohet 50-vjeçari
Korçë- Plagos me thikë disa herë gruan, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe vetë përfundon në pranga. Ngjarja ndodhi sot në qytetin e Korçës, kur një zënkë mes bashkëshortëve për motive të dobëta degjeneroi në përleshje dhe tentativë vrasjeje nga ana e bashkëshortit.
Sipas burimeve policore bëhet e ditur se Ismen Ismaili, 50-vjeç nga fshati Topojan i rrethit të Kukësit, banues vitet e fundit në lagjen 6 të qytetit të Korçës është arrestuar në ambientet e banesës së tij.
“Shtetasi u ndalua pas një konflikti me bashkëshorten, 38-vjeçaren Mereme Ismaili”- thanë burimet e policisë lokale. Mësohet se shkak për ngjarjen është bërë një grindje për motive të dobëta, që dyshohet një xhelozi ndaj gruas. Në gjaknxehtësi e sipër burri ka tentuar ta vrasë me mjete të mprehta, duke e qëlluar dhe dëmtuar në trup.
Gruaja është dërguar në spitalin e Korçës, ku dhe po i jepet ndihma e parë në repartinreanimacionit nga bluzat e bardha. Sipas tyre, ajo ka pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe është nën trajtim intensiv.
Ndërkohë ndaj bashkëshortit, Ismen Ismaili nisi procedimi për veprën penale të vrasjes me dashje të mbetur në tentativë.