E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet drogë në kufi të Lazaratit, ikën trafikanti

Policia nuk guxoi ta ndiqte në brendësi të fshatit personin që transportonte 130 kilogramë marijuanë

Policia e Gjirokastrës bllokon 130 kilogramë marijuanë në afërsi të fshatit Lazarat. Droga u bllokua rreth orës 01:00 të mëngjesit të së martës, por policia nuk arriti të kapte pronarin e lëndës narkotike, i cili arriti të hynte në fshat, ku policia nuk mund të hyjë. Burime policore thanë se kishte informacion se një automjet tip BMV, po lëvizte nga Lazarati në drejtim të Gjirokastrës me një ngarkesë droge. Në bazë të këtyre informacioneve u organizua një operacion me qëllim kapjen e këtij automjeti. Rreth orës 01:15 minuta të mëngjesit të djeshëm, automjeti është konstatuar nga specialistët dhe agjentët e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në vendin e quajtur Kordhocë, në dalje të fshatit Lazarat, ndërsa dilte nga fshati për në aksin kryesor nacional në drejtim të Gjirokastrës.
Menjëherë forcat e policisë kanë bërë bllokimin e rrugës në afërsi të lagjes Kordhocë, por drejtuesi i automjetit sapo ka parë se rruga ishte e bllokuar nga policia është kthyer me shpejtësi për në drejtim të Lazaratit.

Specialistët dhe agjentët e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar janë vënë në ndjekje të këtij automjeti dhe në hyrje të Lazaratit, automjeti tip BMV me targa falsë GJ6838A është përplasur me murin rrethues të një banese dhe drejtuesi i automjetit ka braktisur mjetin dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet në mes banesave të këtij fshati.

Nga këqyrja që iu bë automjetit rezultoi se në brendësi të tij dhe konkretisht në bagazh dhe në ndenjësen e pasme kishte lëndë narkotike të paketuar në qese me peshë të ndryshme, gjithsej rreth 130 kilogramë. Policia bëri sekuestrimin e lëndës narkotike dhe automjetit në cilësinë e provës materiale, por nuk ndërmori veprime të mëtejshme për kapjen e transportuesit të drogës. Trafikanti është një i ri nga Lazarati, i cili u identifikua menjëherë nga policia, por emri i tij nuk u bë i ditur. Gjatë muajve të parë të këtij viti, policia shqiptare ka bllokuar më shumë se 5 tonë marijuanë të prodhuar në Lazarat, por nuk ka kryer qoftë edhe një kontroll të vetëm banese në fshatin që po bën emër në Europë për prodhimin e bollshëm dhe cilësor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›