Zjarr te shkolla 1 Maji, u dogj kutia e shpërndarjes
Një zjarr ka rënë dje paradite në shkollën 9-vjeçare “1 Maji” në hyrje të rrugës “Ali Demi” në Tiranë. Flakët kanë shkaktuar panik te nxënësit, të cilët menjëherë kanë dalë nga ambientet e shkollës, ndërkohë që policia nuk ka vonuar për të mbërritur në vendin e ngjarjes. Pak kohë më vonë kanë mbërritur zjarrfikëset dhe ambulanca, por zjarri, që nuk ka qenë i përmasave të mëdha, është shuar shpejt. Sipas të dhënave policore, zjarri ka rënë rreth orës 11:30 dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, por vetëm disa dëme materiale. Më pas, një grup pune ka punuar për gjetjen e shkakut të zjarrit, që ka rezultuar të jetë një shkëndijë elektrike dhe djegie brenda kabinës së shpërndarjes. Megjithëse zjarri është shuar, mësimi nuk ka vijuar më vonë edhe për shkak të tymit të shpërndarë në të gjitha ambientet e shkollës 9-vjeçare. Shërbimet e Komisariatit nr. 1 kanë plotësuar gjithë dokumentacionin për dokumentimin e kësaj ngjarjeje dhe materialet ia referuan organit të prokurorisë.
#