E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet drogë, në pranga dy nga Tirana dhe një nga Konispoli

SARANDE/GJIRO-KASTER – Tre persona u arrestuan dje nga policia e Sarandës dhe ajo e Gjirokastrës me sasi lënde narkotike. Burime të Policisë së Sarandës bënë të ditur se është sekuestruar drogë në Konispol, në pritje të trafikimit në Greqi. Agjentët e Antidrogës kishin grumbulluar informacion se në një lokal në qytezën më jugore kufitare me Greqinë, Konispol, po mbahej lëndë narkotike, në pritje të trafikimit drejt Igumenicës. Forcat policore kanë ushtruar kontroll në lokalin në pronësi të 36-vjeçarit Admir Çokalli, nga Konispoli. Në mjediset e lokalit policia ka gjetur një thes të bardhë, brenda të cilit ndodheshin 8 pako cilindrike të mbështjella me natriban, me një sasi totale 8.4 kg lëndë narkotike Cannabis sativa. Çokalli është arrestuar në flagrancë, ndërkohë që nga hetimet rezulton se droga do të trafikohej në drejtim të Igumenicës, në Greqi. Burime policore të Sarandës sqarojnë se 36- vjeçari Admir Çokalli ka qenë edhe më parë i dënuar me 20 muaj burg për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se ka kapur dy persona nga Tirana. Friol Dizdari dhe Riz Nokshiqi, të dy 34-vjecarë, janë kapur me 220 gramë marijuanë në tentativë për ta çuar në kryeqytet. Policia e Gjirokastrës e gjeti lëndën në bordin e automjetit me të cilin po udhëtonin. Ata janë arrestuar menjëherë pasi u evidentua lënda narkotike. Kanë qenë shërbimet policore të stacionuara në postbllokun policor në Ujin e Ftohtë të Tepelenës, të cilat kanë ushtruar një kontroll në automjetin tip “Voksvagen” Golf 4″ me targa të Kosovës KS 03 193 AO, ku qarkullonin Dizdari dhe Nokshiqi. Marijuana, sipas Policisë, është blerë në Lazarat për t’u shitur në doza të vogla në Tiranë.                  sh.d/p.n

KORFUZ
Policia greke ka vazhduar edhe të martën, nga deti dhe nga ajri, kërkimet prej Korfuzit e deri në Patra, në kërkim të drogës që dyshohet se kanë hedhur dy shqiptarët e kapur të hënën me gomone në jug të Korfuzit. Droga është hedhur në det, pasi në gomone nuk është gjetur asgjë e paligjshme. Janë zbuluar edhe fotot e të dhënat e mjetit lundrues. Bëhet fjalë për një gomone të quajtur “Fanter”, 11 metra e gjatë, me 2 motorë nga 350 kuaj fuqi secili dhe me një sistem teknologjie të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›