E Diel, 1 Nëntor 2026

Kavajë, kreu i Ujësjellësit në polici

Gentian Daja, kreu i Ujësjellësit i zgjedhur nga Bashkia

Gentian Daja, i zgjedhur nga Bashkia, lirohet pas 3 orësh. E denoncoi paraardhësi për dhunim zyre.

Administrata e Bashkisë konfrontohet me uniformat blu.

Shoqërohet tri orë në Komisariatin e Kavajës drejtori i ri i zgjedhur nga Bashkia në krye të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Gentian Daja. Ai u akuzua për dhunim zyre nga drejtuesi tjetër, Elidon Plaku, i cili pretendon se posti vazhdon t’i takojë atij. Ndërhyrja e policisë ka sjellë dje përplasje mes palëve, pasi para Komisariatit protestuan drejtuesit e Bashkisë dhe administrata e saj deri në momentin kur Daja u la i lirë. Ky i fundit e kishte marrë këtë detyrë dy javë më parë. Shoqërimi i Dajës në komisariat ka krijuar tension të madh në qytetin e Kavajës, ku dhjetëra punonjës të Bashkisë janë konfrontuar me policinë. Për të normalizuar situatën është dashur që në qytet të zbresin edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Mësohet se në komisariat është shoqëruar dhe drejtori tjetër i Ujësjellësit, Elidon Plaku, i cili marrjen e zyrës nga drejtori i ri e ka konsideruar si një akt dhune. Policia e Kavajës, teksa ka shoqëruar për në ambientet e saj drejtorin e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Gentian Daja, është konfrontuar ashpër me punonjës të Bashkisë së qytetit. Këta të fundit, të udhëhequr nga kryetari i Bashkisë, Elvis Roshi dhe nënkryetarja Fatbardha Biturku, kanë protestuar përpara Komisariatit të Policisë së Kavajës, ku kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të drejtorit Daja. Sipas tyre, Daja nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se duhej liruar patjetër. Nënkryetarja e Bashkisë së Kavajës, Fatbardha Biturku, është shprehur se ndalimi i Dajës është i paligjshëm, pasi ai është emëruar konform të gjitha procedurave drejtor i Ujësjellësit. “Gentian Daja është ndaluar nga policia pas denoncimit që ka bërë Nënprefektura e Kavajës në lidhje me emërimin e tij në këtë detyrë. Kjo nuk është normale, pasi Bashkia, si aksionerja me përqindje më të madhe, mund të marrë vendime për emërimin e drejtorit të ri të institucionit, pavarësisht se aksionerët e tjerë nuk janë dakord”, sqaroi Bitraku. Protestuesit kanë hedhur parulla kundër policisë, drejtuesve të Prefekturës dhe deputetëve të zonës. Në disa momente ka pasur edhe konfrontime me policinë, por situata fatmirësisht nuk ka precipituar më tej. Pas daljes së Dajës nga Komisariati, protestuesit janë nisur në këmbë drejt Prokurorisë, ku është bërë denoncimi për ndalim të paligjshëm nga ana e policisë. Duke u shprehur se procedurat për marrjen e detyrës së drejtorit nga ana e tij është tërësisht e rregullt, Daja ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë për “ndalim të paligjshëm” të tij nga ana e policisë. Daja tha se ka marrë urdhër të prerë nga drejtues të Policisë, që deri në sqarimin e situatës së krijuar të mos shkelë në institucionin e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve. Gentian Daja u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Kavajës pas një denoncimi që ka bërë nënprefektura e këtij rrethi. Nënprefekti i Kavajës, Galip Ramadhi, ka depozituar një procedim penal në polici kundrejt drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Gentian Daja, për “dhunim institucioni” dhe “marrjes me dhunë të postit”. Për denoncimin në fjalë Ramadhi mori shkas nga emërimi dy javë më parë të drejtorit të ri të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Gentian Daja.

2 JAVE më parë u zgjodh kreu i ri i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve nga ana e Bashkisë, çka ngjalli konflikt me vendorët e djathtë

Përplasja mes aksionerëve të Ujësjellësit
Prej disa javësh, 7 aksionerët e Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Kavajë kanë nisur një luftë të vërtetë për zgjedhjen e një drejtori të ri. Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve nuk gjen gjuhën e përbashkët për zhvillimin e një mbledhjeje me pjesëmarrjen e të gjithë aksionerëve, ku të mund të zgjidhet këshilli mbikëqyrës dhe drejtori i ri i ndërmarrjes. Kjo shoqëri përbëhet nga 7 aksionerë me kapital tërësisht shtetëror, të cilat janë: Bashkia e Kavajës dhe komunat Synej, Luz i Vogël, Lekaj, Helmes, Golem dhe Kryevidh.

KAVAJE/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›