E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet ekzekutori i 15-vjeçarit, kërkohej prej 12 vjetësh



Luan Kondi

Tiranë – Një krim i kryer më shumë se 12 vjet më parë, ka tani në qeli një person përgjegjës, i cili prej kohësh ishte shpallur në kërkim, por vetëm dje u lokalizua vendndodhja e tij në shtetin fqinjë. Burime zyrtare nga policia e Shtetit, thanë për gazetën “Albania” se është arrestuar në Itali Gëzim Ndreu i kërkuar për vrasje. Policia saktësoi se prangosja erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën.
Arrestimi
“Si rezultat i bashkëpunimit të Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me Interpol Romën, në Firence, Itali, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i 42-vjeçarit Gëzim Ndreu, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë”. Gëzim Ndreu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr. 759, datë 15 shtator 2009, ndaj tij ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ngjarja për të cilën është dënuar Ndreu, ka ndodhur në vitin e errët 1997 kur shteti kapitulloi përkohësisht dhe ia la pushtetin krimit të rrugës. Në ornë 14.00 të 4 qershorit 1997, në Tiranë, Gëzim Ndreu ka vrarë për motive të dobëta me armë zjarri 15-vjeçarin Besian B. Krimi i shëmtuar erdhi sepse dy javë para vrasjes, Besiani me dy shokët e tij kanë pasur një sherr banal me autorin e krimit, atëherë rreth 30 vjeçar.
Rasti
Ndërkohë një tjetër person i shumëkërkuar i dënuar për krimin e vrasjes është arrestuar dje në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit duke iu dorëzuar autoritetit të burgjeve për të vuajtur dënimin e dhënë. Ardian Garupi, 37 vjeç, lindur e banues në fshatin Kosmaç, Komuna Bushat në Shkodër, është kapur nga forcat e policisë në Rinas, dje rreth orës 01:30, pak minuta pasi ai, duke hyrë në tokën shqiptare, iu nënshtrua verifikimit. Garupi ishte deklaruar fajtor me vendimin datë 10 tetor 2001 të Gjykatës së Rrethit Shkodër, për veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe atë të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake“. “Ardian Garupi është marrë, nga ana jonë, në Aeroportin e Rinasit dhe është sjellë në ambientet e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Shkodër”, - konfirmoi policia. I shumëkërkuari, më 28 korrik të vitit 1998, në fshatin Barbullush të komunës Bushat, i kishte marrë jetën Bahri Xhanit, banor vendas, te magazinat e plehrave kimike.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›