E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shpartallon sindikatat, i fut në konflikt me kontraktorët



Habjon Hasani

Tiranë - Qeveria shqiptare me anë të një vendimi të marrë më datën 19 gusht 2009 ka vendosur që tu marrë sindikatave edhe pronat me të cilat ato kanë lidhur marrëveshje afatgjata me subjekte private dhe duke orientuar zgjidhjen e këtyre problemeve që do të lindin si nja ballafaqim gjyqësor mes sindikatave dhe kontraktorëve të tyre. Vendimi i zbardhur i qeverisë zbulon skemën se si është ideuar marrja e pronave të sindikatave. Pas dekretit të vitit 1992 të ish Presidentit Berisha sindikatat (ish bashkimet profesionale) morë qindra prona nën administrim. Por pas vitit 1997 qeveria e sapoardhur socialiste konstatoi se dekreti i ish Presidentit Berisha nuk ishte ratifikuar në Kuvend dhe nuk ishte sigluar nga ish Kryeministri. Kësisoj qeveria socialiste vendosi të marrë prona të caktuara të sindikatave përveç atyre pronave që sindikatat i kishin lënë me qira apo me koncesion në subjekte private. Madje, në vitin 1998 socialistët miratuan dhe një ligj që mbronte kontratat e sindikatave deri në vitin 2020. Pikërisht këtë ligj ka shfuqizuar vendimi i qeverisë që përveçse lë sindikatat me “gisht gojë” i fut ato në konflikt me palët private të kontraktuara pasi vendimi i qeverisë parashikon se subjekti “shtet” që do sekuestrojë këto prona, nuk do mbajë përgjegjësi para gjykatës dhe do t’u duhet sindikatave të përballen me paditë e pritshme nga kontraktorët e tyre.
Vendimi
Në relacionin e këtij vendimi të nënshkruar nga ish ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, shkruhet tekstualisht se: “Për sa u takon rasteve kur sindikata është debitore, duke qenë se sindikatat nuk kanë qenë pronare “de jure” të këtyre pasurive të paluajtshme, veprimet e marra me palët e treta janë absolutisht të pavlefshme, dhe rrjedhimisht nuk krijojnë pasoja juridike për shtetin. Kjo do të thotë se këto detyrime të krijuara duhet të zgjidhen, rast pas rasti, në gjykatë, me kërkesë të palëve të treta, kundrejtuar sindikatave. Në këto raste edhe nëse shteti thërritet si palë në gjyq, prapësimi do të jetë për vlefshmërinë absolute të veprimit juridik që ka krijuar detyrimi, sepse veprimi është krijuar në kundërshtim flagrant të ligjit”, - theksohet në relacionin e këtij vendimi të firmosur nga ish numri një i drejtësisë Ebnkelejd Alibeaj.
Sindikatat
Në ligjin e shfuqizuar “Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i Dekretit Nr. 204, datë 5.6.1992 ‘Për pasurinë e sindikatave’”, shkruhet shprehimisht se: “Pasuritë e sindikatave, të fituara nga zbatimi i Dekretit Nr. 204, datë 5.6.1992, konsiderohen pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme dhe vlerat monetare të ish-Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, sipas inventarizimit dhe vlerësimit të bërë nga Komisioni i ngritur nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë në muajin qershor të vitit 1992, mbi bazën e gjendjes faktike të muajit mars të vitit 1991. Aktmarrëveshjet e arritura ndërmjet sindikatave për ndarjen e pasurisë deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë vlerë juridike, me përjashtim të rastit kur parashikohet ndryshe në këtë ligj. Mosmarrëveshjet që lidhen me këto aktmarrëveshje zgjidhen në rrugë gjyqësore. Rishpërndarja e pasurisë së sindikatave, në rastin e shkëputjes së fraksioneve dhe krijimit të sindikatave të reja nga ato ekzistuese, bëhet mbi bazën e marrëveshjes në përpjesëtim me numrin e anëtarëve të tyre. Në rast mosmarrëveshjesh ato zgjidhen në rrugë gjyqësore. Pasuria e paluajtshme e përfituar nga sindikatat në bazë të këtij ligji nuk mund të tjetërsohet deri më 31.12.2020. Trualli pasuri e sindikatave sipas Nenit 1 të këtij ligji, konsiderohet pronë e zënë. Ish-pronarët kompensohen sipas Ligjit Nr. 7698, datë 15.4.1993 ‘Për kthimin e kompensimin e pronave ish-pronarëve’”. Pra sikundër tregon dhe ky ligj i vitit 1998, sindikatat kanë të drejtë që të mbajnë pronat e fituara rregullisht në vitet 1992-1998 për një afat kohor deri në fund të vitit 2020.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›