Çudia e pronave, Presidenti Berisha ua jep, Kryeministri Berisha ua merr
Me një dekret të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, sindikatat kanë marrë pronat e ish-Bashkimeve Profesionale. Sot rezulton se thuajse të gjitha pronat e ish-Bashkimeve Profesionale janë tjetërsuar ose dhënë me qira, në kundërshtim me ligjin. Të gjitha ish-kampet dhe shtëpitë e pushimit shfrytëzohen tanimë nga pronarët ose persona të tjerë, që i kanë marrë me qira. Gjithsej ishin 165 objekte në të gjithë Shqipërinë dhe ato përfshinin rreth 60 mijë metra katrorë ndërtime me vlerë 139 miliardë e 192 mijë lekë. Nga pasuria e sindikatave në vitin 1991 u ndanë edhe 20 milionë lekë, që ishin gjendje në llogarinë bankare të ish-Bashkimeve Profesionale dhe një sasi e pallogaritshme inventari e kancelarish. Gjysma e pasurisë i kaloi Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, 40 për qind Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër u nda midis Sindikatës së Pavarur të Minatorëve dhe asaj të Naftës. Pas kësaj ndarjeje filloi lufta e nëndheshme për të shtënë në dorë sa më shumë prona. Rreth 30 për qind e të gjitha objekteve të ndara u shitën, ndërsa 20 për qind e këtyre objekteve rezulton se janë dhënë me qira, ku përfshihen ish-kampet e punëtorëve dhe shtëpitë e pushimit në disa qytete. Rreth 17 për qind e pronave të sindikatave u shkatërruan gjatë trazirave të vitit 1997. Një pjesë e ish-kampeve shfrytëzohen si hotele dhe qiratë shkojnë në arkat e sindikatave, por zor se ndonjë punëtor i thjeshtë përfiton prej tyre. Në mbledhjen e qeverisë të datës 19 gusht 2009 duket se Kryeministri Berisha e ka artikuluar edhe vetë motivin e vërtetë të “gllabërimit” të pronave sindikale. Berisha ka piketuar dhe pronat më prioritare që projektligji do të ketë në vëmendje, që sipas tij janë pronat sindikale në bregdet. “Është e domosdoshme që të tëra këto resorte turistike, të cilat nuk janë në pronësi të askujt sot, pasi është vetëm shteti pronar i tyre, të merren e të shndërrohen në shoqëri aksionere, ku shteti do të jetë padëshirueshmërisht pronar. Po e bëjmë këtë në mënyrë që të qëndrojmë garant të rikonstruksionit të tyre të plotë dhe menjëherë shteti do të shesë aksionet e tij. Pra, që në momentin që ato do të rindërtohen, shteti është i gatshëm t'i shesë aksionet dhe të vazhdojnë të tjerët. Për ndryshe, po të mos jetë shteti i pranishëm, do të vazhdojë bixhozi me këto pasuri, ashtu si ka vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe. Mendoj se ky ligj vjen në kohën e duhur. ", - deklaroi kryeministri.
Shkelja nr. 2
Qeveria cenon vendimin e Gjykatës së Lartë për pronarët e tokave sindikale
Vendimi i qeverisë përveçse ka mohuar pronat e sindikatave dhe i ka zhytur ato në probleme gjyqësore duket se ka bërë “lëmsh” dhe marrëdhëniet e pronës përsa i takon truajve ku gjenden pronat e sindikatës. Relacioni i qeverisë parasheh se pronarët e këtyre pronave sindikale do të shpërblehen nga ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke theksuar se pronat e sindikatave do i ngelen veçse qeverisë dhe se pronarët do shpërblehen me tokë tjetër kund. Por, Gjykata e Lartë, në një vendim unifikues në vitin 2002, ka sqaruar përfundimisht se në rastin e pronave të përfituara nga sindikatat në vitin 1992, të cilat kanë pronarë të vjetër, atëherë në asnjë rast dhe rrethanë qeveria nuk mund t’i shtetëzojë ato dhe në asnjë rast edhe rrethanë sindikatat nuk mund t’i përdorin, pasi prioritet ka Ligji Nr. 7698, datë 15.04.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", duke qenë se ky ligj qëndron mbi të gjitha ligjet dhe dispozitat e tjera që bien në kundërshtim me të. Më poshtë konkluzioni i vendimit të Gjykatës së Lartë në vitin 1993:
“Si përfundim, Dekreti Nr. 204, datë 05.06.1992 (i ish-presidentit Berisha) do të ruante fuqinë, po ta kish fituar atë rregullisht, dhe Ligji Nr. 8340/1, datë 06.05.1998 do të ishte i zbatueshëm përsa u përket pronave në formën e ndërtesave të pandryshuara apo trojeve të pazëna, duke i lënë ato në pronësi të sindikatave, vetëm në eventualitet të ekzistencës se kushteve të neneve 23 e 24 të ligjit të kthimit të pronave, si dhe, në mënyre evidente, në rastet kur ish-pronarët (trashëgimtarët e tyre) rezulton të mos u jenë drejtuar komisioneve të kthimit e kompensimit të pronave të ngritura pranë bashkive e këshillave të rretheve. Kuptohet që këtu nuk vihet në diskutim fitimi nga sindikatat i pronësisë mbi pasurinë shtetërore që shteti ka vendosur t`ua kalojë sindikatave dhe që nuk ka lidhje me atë pasuri të paluajtshme që u kthehet ish-pronarëve apo trashëgimtarëve të tyre. Gjithashtu nënvizojmë se Ligji Nr. 7698, datë 15.04.1993, në Nenin 29 të tij, parashikon se, ‘Të gjitha dispozitat ligjore që vijnë në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen’. Në këtë drejtim nuk do të bënte përjashtim edhe Dekreti Nr. 204, datë 05.06.1992 edhe sikur ai të kish marrë fuqi juridike pas nxjerrjes së tij, nëpërmjet kundërfirmimit të tij, sipas Nenit 29 të Ligjit Nr.7491, datë 29.04.1991 ‘Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese’. Ai do të gjente zbatim vetëm brenda hapësirës që nuk do të krijonte ndeshje me ligjin e kthimit e të kompensimit të pronave”.
24 Shtator 2009