Mjeku Pipero: “A/H1N1 vështirë të dallohet, virusi i moderuar”
Virusi A/H1N1 ka marr forma të moderuara me viroza të ndryshme dhe është vështirë të dallohet nga prekurit. Për këtë arsye një pjesë e madhe e qytetarëve që janë prekur nga ky virus nuk drejtohen në spitale. Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero shprehet se një pjesë e madhe e pacientëve që janë paraqitur në spitale kanë qenë me simptoma të moderuara të virusit, prandaj nuk janë paraqitur për të marrë mjekimin e duhur. Ndërkohë që në Spitalin Infektiv janë edhe dy raste të tjera që po trajtohen me Tamiflu. Pipero bën të ditur se për këta pacientë po priten përgjigjet e rezultateve nga Rumania. Aktualisht në Laboratorin Rumun priten përgjigjet për 200 persona të dyshuar të prekur me virusin AH1N1. Ndërsa vaksina kundër gripit pandemik nuk dihet ende se kur do të mbërrijë në vendin tonë, për shkak të kërkesave të mëdha të të gjithë vendeve të botës dhe kostos së lartë që ka.
Ndërsa në fund të muajit shtator në të gjitha farmacitë do të shpërndahet vaksina kundër gripit sezonal. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik rekomandojnë që vaksina e gripit sezonal të bëhet brenda muajit dhjetor. Kjo pasi duhet që trupi të krijojë mbrojtje nga virozat dimërore që pritet të qarkullojnë. Vaksina do të tregtohet në farmaci, dhe është e këshillueshme të bëhet nga e gjithë popullata. Sipas specialistëve, kjo vaksinë nuk krijon mbrojtje përsa i përket gripit pandemik që qarkullon, por lehtëson simptomat në rast infektimi. Përsa i përket gripit A H1N1, vaksina pritet të dalë në tetor, ndërsa numri i të prekurve ka arritur në 34 persona.
Mungesa e ujit, 5 muaj pa ujë në zonën e “Ali Demit”
Qytetarët e lagjes “Ali Demi” në kryeqytet kanë rreth 5 muaj që vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm. Ata janë alarmuar nga mungesa kaq e gjatë e ujit të pijshëm dhe domosdoshmëria që kanë për ta pasur atë. Sipas tyre, uji mungon prej 5 muajsh dhe vjen vetëm njëherë në ditë nga 10 minuta. Një situatë e tillë u ka krijuar mjaft probleme, pasi ata janë të detyruar ta blejnë ujin me bidonë ose të shkojnë në çezma të ndryshme të kryeqytetit për të siguruar ujin. Qytetarët shprehen se kanë bërë ankesë pranë Drejtorisë së Ujësjellësit, por ende nuk kanë marrë një përgjigje konkrete se deri kur do të zgjasë kjo situatë.
24 Shtator 2009