E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmet në Gërdec, ekspertiza zbulon abuzimin me 74 banesa

 

TIRANE - Grupi i ekspertëve të caktuar nga Prokuroria konfirmoi abuzimet e dyshuara me dëmshpërblimin e pasojave të tragjedisë së Gërdecit. Në rreth 74 banesa, për secilën prej tyre, specialistët që hartuan faturat e dëmit kanë hedhur shifra të fryra, duke shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit, nga i cili u financuan dëmshpërblimet për banorët e zonës së prekur nga ngjarja. Burime zyrtare të Prokurorisë thanë se një ekip prej gjashtë ekspertësh ka verifikuar në terren 25 objekte të marra si mostra ekspertimi nga 74 objekte të dyshuara për mbivlerësim të dëmeve. Sipas hetimeve të Prokurorisë, mësohet se për secilin objekt, mbivlerësimi i dëmit ka qenë nga 1 deri në 5 milionë lekë. Duke pasur për qëllim përfitimet e padrejta financiare, specialistët e parë të ALUIZNI-t, Entit të Banesave dhe bashkisë së Vorës, hartuan raportet për dëmet e shkaktuara në zonë nga tragjedia vetëm pak ditë pas ngjarjes së rëndë. Mbi bazën e raporteve të hartuara nga grupet e para të vlerësimit, shteti pagoi shumat e dëmshpërblimit duke derdhur më shumë para sesa ishte vlera reale e dëmit të shkaktuar. Diferencën mes dëmit real dhe faturave që kanë hartuar në mënyrë abuzive, mësohet se e kanë përfituar ekspertët dhe specialistët që shkuan në zonë për vlerësim menjëherë pasi ndodhi ngjarja. Bashkia e Vorës nga ana e saj ka paditur 44 familje të zonës, nga të cilat kërkon kthimin mbrapsht të shumave të tepërta që janë dhënë më parë në formën e dëmshpërblimit për pasojat e shkaktuara nga ngjarja. Në vlerësimin e parë abuziv, mësohet se mes grupeve që hartuan faturat kanë qenë edhe persona me konflikt interesi. Një zyrtar i bashkisë së Vorës ka vlerësuar dëmet që ishin shkaktuar në banesën dhe lokalin e tij, duke fryrë shifrat me interes përfitimin financiar mbi vlerën reale të dëmit që i është shkaktuar. Prokuroria tha se menjëherë pasi të administrojë në dosje aktin e ekspertimit do të vlerësojë përgjegjësinë penale të personave që dyshohet se kanë abuzuar me detyrën, duke i sjellë dëme financiare shtetit.         tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›