E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës asgjëson 40 kg drogë

Policia e Tiranës asgjëson rreth 40 kg drogë të sekuestruar gjatë disa operacioneve kohët e fundit. Përgjatë ditës së djeshme, një komision i përbërë nga disa funksionarë, asistuar edhe nga specialistë dhe ekspertë të këtij drejtimi në Sharrë, e pikërisht në fushën e mbeturinave, bëri djegien e disa lëndëve narkotike. Kjo u bë duke u bazuar tek urdhrat e prokurorit për zbatimin e vendimeve penale të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Në këtë vend u asgjësuan konkretisht 28 kilogramë e 286 gramë heroinë, 4 kg e 960 gramë përzierës dhe shtatë kilogramë e 361 gramë kokainë. Procesi i asgjësimit të lëndës narkotike u shoqërua me fotografimet dhe filmimet përkatëse. Komisioni përbëhej nga prokurori i Krimeve të Rënda, përfaqësuesi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, përfaqësuesi i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, shefi i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe shefi i Seksionit Kundër Narkotikëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›